Bashkëpunim për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ky ka qenë thelbi i rezolutës së përbashkët të nënshkruar sot në Tiranë nga ministrat e Drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim, i pari i këtij lloji që zhvillohet në Tiranë ku merrnin pjesë ministrat e 9 shteteve të rajonit, ishte i ftuar për të përshëndetur dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu.

Alfred Moisiu: “Personalisht e konisderoj mjaft të gjetur dhe të dobishme për gjithë ministrat e Drejtësisë së Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë të diskutojnë mes tyre dhe të gjejnë mjete dhe metoda efikase të përbashkëta për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive agresivitetit, organizimit dhe sofistikimit të veprimtarisë nga organizatat kriminale të cilët veç trafikimit të qenieve njerëzore, lëndëve narkotike dhe mbeturinave toksike etj., përpiqen, jo në pak raste me mjaft sukses, të korruptojnë funksionarë dhe deri gjyqtarë për të lehtësuar veprimtarinë e tyre kriminale.”

Të gjithë pjesëmarrësit në takim nënvizuan rëndësinë që ka zhvillimi i këtij takimi dhe nënshkrimi i kësaj rezolute.

Fatmir Xhafa: “Pranohet nga të gjithë ne se krimi i organizuar ka sofistikuar mjetet dhe metodat e veprimtarisë së tij, ka zgjeruar mbulimin territorial duke intensifikuar lidhjet dhe natyrën transnacioanle. Ndërkohë që edhe problemet e korrupsionit në shkallë të ndryshme përbëjnë një sfidë në vendet e rajonit. Në çdo analizë mund të konstatosh se përgjegjësit, fajtorët dhe viktimat gjenden në më shumë se një shtet. Për këto arsye gjykojmë se është i domosdoshëm kontributi dhe përgjegjësia e të gjithëve për të luftuar këto fenomene.”

Kjo konferencë, nismën e së cilës e organizoi dhe sot po e realizon Republika e Shqipërisë, ka një rëndësi të posaçme dhe mendoj se bazën apo gurthemelin e parë të organizimit të ndërrimit të ideve, mendimeve dhe të bashkëpunimit të ndërsjelltë të shteteve të regjionit.

“Ne jemi të bindur se të gjitha inciativat rajonale duhet të jenë në përputhje të plotë me aktivitetet dhe iniciativat e Bashkimit Evropian dhe duhet të mbështesin procesin e aderimit të vendeve të Evropës Juglindore. Ne besojmë se ekzistojnë mundësi të mëdha për rritjen e bashkëpunimit në nivel rajonal”

“Për të bërë të mundur një luftë efikase ndaj korrupsionit duhet të përcaktohen masa standarde në përmasa të karakterit raojnal dhe atij ndërkombëtar. Gjithashtu duhet të forcohet bashkëpunimi përtej kufijve ndërmjet shteteve dhe organizmave ndërkombëtare. Kjo është një nevojë e cila duhet të pranohet nga ana e të gjithëve.”

“Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë fenomene shqetësuese për të gjithë rajonin tonë. Bashkëpunimi për të luftuar këto fenomene është shumë i rëndësishëm duke pasur parasysh se çdo ditë ato po marrin forma të reja dhe nuk po njohin kufij. Në mendoj se kjo luftë bëhet në tre nivele në atë kombëtar dypalësh dhe rajonal.”

Në rezolutë parashikohet mbështetje dypalëshe dhe rajonale për ekstradimin e të burgosurve, përmirësimi i legjislacionit si dhe përmirësimi i mjeteve të veçanta të investigimit në mënyrë që të krijohen kushte efektive për të luftuar krimin. /tvklan.al