Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Republikani Neritan Alibali, argumenton si të domosdoshme nismën e tij për deklarimin e pasurive të Organizatave Jo Fitimprurëse dhe personave publik, veçanërisht ata të përfshirë në media, pasi shmangni trafikun e influencave ndaj pushtetit.
Neritan Alibali: “Problemi im qëndron tek krerët e këtyre organizatave, të cilët kryejnë trafik influencash me qeveritë që janë në pushtet. Kjo nuk ndodh sot, kjo ka ndodhur gjithmonë dhe problemi qëndron pikërisht të ndërpresim këtë trafik influencash.”
Kjo kërkesë e Alibalit u kundërshtua një ditë më parë nga publicistë, gazetarë dhe përfaqësuesit të OJF, me faktin se të ardhurat e tyre nuk janë të detyruara të deklarohen me ligj, ndërkohë që fondet nuk vilen nga taksapaguesit shqiptarë, por në mënyrë private. Me të njëjtën ide kundërshton edhe kryetarja e komisionit parlamentar për çështjet sociale Valendina Leskaj.
Valendina Leskaj: “Nuk jam dakord që shoqëria civile të vihet nën kontrollin e administratës, sepse ka mekanizma dhe instrumente të tjerë, përmes të cilave kontrollohet shoqëria civile, siç janë edhe deklarimi në zyrat e tatimeve dhe taksave. Gjithashtu është e paarsyeshme, sepse personat që punojnë në shoqërinë civile nuk kanë firmë as për tendera, as për prokurime, as për privatizime, pra nuk administrojnë, nuk menazhojnë pasuri publike të cilat mund të përdoren në interes të tyre.”/tvklan.al