Shpallet pavlefshmëria e Valdrin Pjetrit
Paraditen e të hënës me kërkesë të prefektit të Shkodrës do të zhvillohet mbledhja e konstituimit të këshillit bashkiak të bashkisë së këtij qyteti, dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit.
Por kjo mbledhje do të shënojë dhe precendentin e parë kur këshilli bashkiak nuk do të votojë për shpalljen e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të ri të bashkisë, por për miratimin e dorëheqjes së tij.
Pas akuzave të demokratëve se ka fshehur dënimin për trafikim të lëndëve narkotike kur jetonte në Itali, Valdrin Pjetri, kryebashkiaku socialist i dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit , u dorëhoq.
Por kjo situatë e paprecedentë duket se do të ketë dhe zgjidhje të panjohur më parë.
Këshilli bashkiak i Shkodrës pritet që të zgjedhë në mbledhjen e të henës si kryetar të përkohshëm një nënkryetar bashkie, por ende nuk bëhet e qartë nëse do të jetë një nga nënkryetarët aktualë demokratë, apo një i ri i zgjedhur nga socialistët.
Ligji për qeverisjen vendore parashikon qe “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës çka i mundëson kryebashkiakes në ikje Voltana Ademit qëndrimin. Por në këtë rast ky ligj bie ndesh me parashikimin ne Kodin Zgjedhor, ku thuhet se mandati i kryebashkiakëve është i kufizuar dhe mbaron në të njëjtën datë të të njëjëtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes së rezultatit përfundimtar nga KQZ.
Në lokalet e 2015 rezultati përfundimtar nga KQZ u shpall në 10 Gusht, çka sipas parashikimit të Kodit Zgjedhor mandati i kryebashkakes Ademi ka përfunduar javën e shkuar në 10 Gusht.
Presidenti Meta është shprehur se nuk do të dekretojë asnjë datë të re për zgjedhje të pjesshme në Shkodër pasi ai nuk i njeh zgjedhjet e 30 Qershorit dhe ka dekretuar 13 Tetorin si datën e lokaleve 2019.
Dega lokale e PD ka njoftuar mbajtjen e një proteste të hënën para rektoratit, për të mos lejuar atë që e quajnë kapje të qytetit, pasi e konsiderojnë të paligjshme mbledhjen konstituuese të Këshillit Bashkiak.
Tv Klan