Shqipëria po planifikon krijimin e një shteti sovran brenda territorit. Bëhet fjalë për një shtet bektashi, një model i ngjashëm me atë të Vatikanit në Romë, që do të ndërtohet në periferi të Tiranës, aty ku sot është Kryegjyshata Botërore.
Planin e ka zbuluar Kryeministri Rama në një intervistë për New York Times, duke u shprehur se qeveria dëshiron t’u japë besimtarëve bektashinj enklavën e tyre të stilit të Vatikanit, si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare.
“Një mikroshtet i moderuar islamik do të dërgonte një mesazh; mos lejoni që stigma e myslimanëve të përcaktojë se cilët janë myslimanët. Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është toleranca fetare dhe që nuk duhet ta marrim kurrë si të mirëqenë”, tha Rama.
Rama pranon se për realizimin e këtij projekti lipset kohë, duke mos përjashtuar edhe mendimet kundër. Kryeministri sqaron se kufijtë e shtetit të propozuar do të përcaktohen nga pronat e Bektashinjve, teksa thekson se çdo pasuri e sekuestruar nuk është pjesë e këtij plani.
“Ndoshta të gjithë do të thonë ky është i çmendur, këtë e kanë thënë shumë herë më parë. Nuk më intereson. Gjëja e rëndësishme, çmenduri apo jo, është të luftosh për mirë”, tha ai.
Sipas prestigjiozes amerikane një vend që ka pak gjasa ta njohë Shtetin Sovran të ‘Urdhrit Bektashi’ është Irani. Për Ramën kjo ka fare pak rëndësi, pasi Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me këtë vend në vitin 2022, pas sulmit kibernetik ndaj qeverisë shqiptare dhe rrjeteve bankare.
“Iranianët janë sinqerisht mendimi im i fundit”, tha ai.
Sipas prestigjiozes amerikane, e cila citon edhe udhëheqësin kryesor të Bektashinjve, Baba Mondin, ky shtet do të ketë administratën, pasaporta dhe kufijtë e tij.
“Shteti i ri bektashi mund të ketë nevojë për një shërbim të vogël inteligjence sepse edhe ne kemi armiq, por nuk do të ketë ushtri, roje kufitare apo gjykata. Detaje të tilla si kush do të kualifikohet për pasaporta ende duhet të përpunohen”, tha ai.
Territori i shtetin sovran të ‘Urdhrit Bektashi’ është kompleksi prej 27 hektarësh ne Kryegjyshatën Botërore. Ai është sa vetëm një e katërta e madhësisë së qytetit të Vatikanit, aktualisht vendi më i vogël në botë.
New York Times shkruan se një ekip ekspertësh ligjorë, përfshirë juristë ndërkombëtarë, po hartojnë legjislacionin që përcakton statusin sovran të shtetit të ri brenda Shqipërisë. Në rast se ky projekt do të realizohet ai duhet të miratohet nga Parlamenti.
Sipas të dhënave të censusit të vitit 2024 në Shqipëri janë 116 mijë besimtarë bektashinj.
Tv Klan