Botuesi Fahri Balliu u shpreh këtë mërkurë se e veja e diktatorit Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha, pas viteve 1973 ka qenë personi që komandonte një rrjet të fuqishëm me agjentë të sigurimit.

Teksa në studio komentohej për ndarjen nga jeta e bashkëshortes së diktatorit Hoxha dhe rolit të saj në komunizëm, Balliu tha se ajo mori pseudonimin ‘pantera e zezë’ nga njerëzit.

“Nexhmija Hoxha ishte njeriu që në vitet e komunizmit veçanërisht pas ’73 komandonte në një disiplinë të hekurt një rrjet të gjerë agjenturor që varej prej saj. Sigurimi merrte detyra prej saj. Në këtë rrjet kanë bërë pjesë edhe intelektualë të konfirmuar nga sistemi. Ne kemi qenë të rinj, por vite pas vite duke qenë mik me njerëzit më të shquar të asaj kohe, e kemi kuptuar, zbërthyer dhe trajtuar. Kur kjo mori termin “Pantera e zezë”, në fakt edhe pse opinioni nuk e dinte saktësisht rolin e saj, e ndjeu që kjo të ndalte frymën kudo që ishte”, tha Balliu.

Nexhmije Hoxha u nda nga jeta këtë të mërkurë, 26 Shkurt 2020, në moshën 99-vjeçare. Familja njoftoi se ajo vdiq në shtëpinë e saj, në zonën e Laprakës në Tiranë./tvklan.al