Tritoli në një pallat në Elbasan më 15 Korrik, ku në shënjestër ishin motrat Alda dhe Xhovana Nikolli, i mori jetën aksidentalisht komshiut të tyre, Enea Themollari. 29-vjeçari ishte në reanimacion prej 3 muajsh, por ndërroi jetë si pasojë e gjendjes së rënduar shëndetësore.
Në një prononcim për mediat, fqinjët shprehen të tronditur nga vdekja tragjike e të riut Themollari, të cilin e përshkruajnë si një djalë të qetë, i cili ndihmonte familjen e tij.
“Shumë e dhimbshme. Të jetë tjetri në shtëpinë e vet dhe të gjejë vdekjen. Ka vuajtur 2-3 muaj në gjendje kome. S’e gjetën autorin, ato dy femrat ku ikën? Ato ikën në Turqi, nuk jetojnë më këtu.”
“S’e besonim që do ndodhte kjo gjë. Çun babaxhan nga të gjitha anët. Ai e mbante shtëpinë, njëri pa fjalë. Të jesh në shtëpinë tënde të ndodhi kjo është katastrofë. S’ka më keq. Autori nuk është kapur akoma, ja shteti jonë. Vjen tjetri dhe të merr jetën në shtëpi të vet.”
“Nga i keqi e pëson i miri. Keq na vjen shumë, djalë i ri. Mjerë nëna dhe baba.”
“Në prek shumë si ngjarje, çfarë të thuash. M’u mpi trupi.”
Një nga pistat ku po heton policia në lidhje me ngjarjen janë konfliktet e mundshme të vetë Xhovana Nikollit, e cila ka pasur lidhje me Amarildo Xhanej nga Shkodra, i penduar i drejtësisë. Ai u arrestua në Gusht të vitit 2023 në Vlorë me një armë me silenciator ku dyshohet se do të kryente një vrasje./tvklan.al