Një vit më parë në Krujë artistët shqiptarë morën premtimin se “Maratona e Këngës” do të kthehej në një ngjarje kulturore tradicionale për qytetin. Dhe ashtu ndodhi.
Mijëra qytetarë iu bashkuan projektit të madh muzikor të verës brenda mureve të kalasë.
Një vit më parë “Maratona e Këngës” në Krujë përkoi me fillimin e punimeve për rehabilitimin e qendrës së qytetit, tashmë një tërheqje e madhe turistike.
Nën kujdesin e kryetarit të bashkisë Krujë, Artur Bushi, koncerti solli para publikut artistë të këngës tradicionale, këngëtarë e grupe të muzikës moderne në amfiteatrin e lagjes së kalasë.
Pas Krujës, maratona udhëtoi më në Veri, pranë një tjetër kalaje.
Nën hijen e Rozafës, pranë pedonales së Shkodrës, u vendos për herë të parë skenografia e “Maratona e Këngës”. Vjet koncerti ishte në Velipojë, këtë verë në bashkëpunim me bashkinë e qytetit, ai erdhi sa më pranë shkodranëve.
Përveç emrave të njohur pjesëmarrës në këtë edicion, “Maratonës së Këngës” iu bashkuan edhe këngëtarë të suksesshëm shkodranë si Bashkim Mukadesi e Rosela Gjylbegu.
Një moment i veçantë ishte dedikimi që kantautori Gjergj Leka bëri për gjithë artistët e njohur të këtij qyteti më këngën “Bijtë e Shkodrës”.
Mbrëmja u përshëndet edhe nga kryetarja e bashkisë Voltana Ademi. Pas Shkodrës, “Maratona e Këngës” udhëton në Poliçan./Tv Klan