Kristjan K. u përpoq të arratisej kur policia bastisi pronën ku po qëndronte, në Bradford më 4 Gusht. Shqiptari, i cili jetonte ilegalisht në Britani, u kap teksa kujdesej për një fabrikë kanabisi dhe për këtë u dënua nga gjykata me 2 vjet heqje lirie.
Sipas mediave britanike, prona ishte marrë me qira. 3 prej dhomave të saj ishin shndërruar në një fermë kanabisi, në gjendje për të prodhuar drogë me vlerë mijëra paund.
Avokati mbrojtës i shqiptarit tha se 29-vjeçari kishte shkuar në Britani për shkak të vështirësive ekonomike në vendlindje. Ai ishte urdhëruar të kujdesej për bimët e kanabisit dhe kishte marrë udhëzime si të kujdesej për to.

Policia zbuloi 144 bimë të maturuara kur bastisi banesën në fjalë. Kristjanit iu gjet një iPhone dhe 80 paund kesh kur u arrestua, ndërsa në shtëpi u gjetën para të tjera. Ai i tha policisë se po punonte për një grup të organizuar kriminal me bazë në Belgjikë dhe se do të merrte 25 përqind të fitimit nga të mbjellat./tvklan.al