Albana Nanaj, përfaqësuesja e agjencisë “GO in Travel” ka treguar më shumë detaje lidhur me fluturimet drejt Gjermanisë, hoteleve dhe çmimeve të tyre gjatë periudhës së Euro 2024. Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Nanaj ju ka sugjeruar të gjithë atyre që do t’i ndjekin ndeshjet në Gjermani, të përdorin trenat, për të cilët ka thënë se ofrohen falas për 36 orë nëse kanë biletë për ndeshje.

Albana Nanaj: Çmimet e biletave fluturuan që në Janar në fakt, që në momentin që u shpallën fituesit e biletave për ndeshjet, filluan automatikisht “low costet” që fluturojnë me fluturimet direkte, ishin të parat që ngritën çmimet.

Blendi Fevziu: Një fluturim drejt Gjermanisë me “low cost” me kushtet normale sa kushton dhe sa është sot?

Albana Nanaj: Normalisht fillojnë nëse prenoton nga Janari në Qershor i gjen me 60-70 Euro biletat, ndërsa sot nuk ke vend. Ne kemi limitin e fluturimeve nga Tirana që është i kufizuar, nuk mund ta gjejmë bileta të lira kur ka një fluks të lartë. Hotelet ditën që luhen ndeshjet kanë trefishuar çmimet, veçanërisht në Dortmund. Unë mendoj se ndeshja me Italinë ka më shumë kërkesa, duket se është e ezauruar. Në Dortmund, një hotel që e gjen natën përpara me 100 Euro, ditën e ndeshjes është 3-fish më e lartë. Ka shumë alternativa për të arritur. Unë po shihja pak më parë që nga Roma për të njëjtën ndeshje ku luajmë me Italinë, biletat me Luftancën për Dortmund, Duseldorf ishin 180 Euro, ndërsa nga Tirana i kemi 650 Euro sepse ato kanë shumë aeroporte, shumë dalje.

Blendi Fevziu: Çfarë do ju sugjeroje njerëzve që akoma nuk kanë rezervuar?

Albana Nanaj: Mund të arrijnë shumë mirë në Frankfurt dhe prej aty të marrin trenat, janë shumë komodë. Mund të shkojnë në Belgjikë sepse të treja destinacionet janë shumë afër Belgjikës dhe Holandës, janë shumë afër vendet, patjetër të lëvizin dhe makina. Për të gjithë ata që kanë biletat e ndeshjes, ofrohej shërbimi i mjeteve publike në Gjermani flas për 36 orë. Brenda qyteteve, po të kesh biletat që të evitohet lëvizja me makina.


/tvklan.al