Anduena Llabani: “Makina tërësisht e djegur, në të cilën u gjet dhe trupi i pajetë i një taksisti, i cili dyshohet se është i një taksisti pasi janë kryer të gjitha veprimet procedurale është marrë me një karrotrec, është nxjerrë nga vendi ku është gjetur dje i djegur për t’u çuar në Drejtorinë e Policisë ku do të kryhen të gjitha ekzaminimet, ndërkohë që policia ka përjashtuar pistën e grabitjes.”
Viktima e kësaj ngjarje është shtetasi, Ramazan Hyka, i moshës 50 vjeç, është gjetur i djegur në bagazhin e automjetit, tip Benz 190 me targa të Tiranës 23 21 J, në pronësi të tij rreth orës 17:00 në këtë vend pranë liqenit të Farkës.
Shkaqet e vdekjes së tij nuk janë përcaktuar ende. Në konkluzione do të dilet vetëm pas autopsisë së trupit dhe ekspertimit të asaj çfarë ka mbetur nga makina e djegur, por dinamika e ngjarjes ngre dyshime për një vrasje, ndoshta për motive të dobëta.
Për policinë nuk bëhet fjalë për grabitje pasi në makinë janë gjetur sende me vlerë që i ka shpëtuar djegies dhe pikërisht djegia e saj ka shkatërruar pothuajse çdo gjurmë.
Megjithatë grupi hetimor i ngritur për këtë çështje po përpiqet të rindërtojë ngjarjen duke u nisur nga gjurmë të lëna në vendngjarje, dëshmi të personave të fundit që e kanë parë 50-vjeçarin para zhdukjes së tij dhe të familjarëve.
Këta të fundit thonë se Hyka ishte larguar prej dy ditësh nga shtëpia dhe përjashtojnë mundësinë e një vrasje për hakmarrje./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani