Ngjarja e rëndë në familjen shqiptare në Korfuz mund të ishte shmangur. Një vit më parë, kishte ndodhur një incident mes Aleko Petros dhe vajzës së tij, Anxhelinës. Rasti ishte referuar edhe në polici.

Avokati i 52-vjeçarit shqiptar, Vasilis Noulezas ka konfirmuar se më 31 Janar 2017, Aleko Petro ishte paraqitur në polici për t’u njohur me ankesën që kishte bërë Anxhelina ndaj tij.

Vitin e kaluar, 52-vjeçari kishte shkuar në shkollën profesionale ku studionte vajza e tij dhe kishte tentuar ta merrte me forcë.

“Ai donte ta merrte në makinë dhe të largohej. Vajza kundërshtoi dhe nuk ra dakord”

, thotë avokati i Aleko Petros.

Pas këtij incidenti, reagoi edhe drejtori i shkollës, i cili e referoi rastin tek një punonjës social. Ky i fundit më pas shkoi në departamentin e policisë, ku u regjistrua si denoncim. Anxhelina Petro kishte raportuar gjithashtu në polici se babai i saj vazhdimisht i ndërhynte në jetën personale.

Më 31 Janar, Aleko Petro u paraqit në stacionin policor për t’u njohur me ankesën që ishte bërë në adresë të tij. Ai mësoi se vajza, Anxhelina Petro, ishte ankuar për sjelljen që kishte bërë, por e gjithë çështja u mbyll pasi 52-vjeçari deklaroi se një sjellje e tillë nuk do të përsëritet.

Aleko Petro debatonte vazhdimisht me vajzën pasi nuk pranonte lidhjen e saj me një emigrant afgan, që ishte birësuar nga një familje greke. Një vit më pas, kur 29-vjeçarja shkoi në banesën e të atit për ta takuar për festat e fundvitit, mes tyre lindi një debat i ashpër që përfundoi me vrasjen e Anxhelinës.

I ati, Aleko, e goditi më shumë se 7 herë me shufër hekuri në kokë duke i shkaktuar vdekjen dhe trupin e saj e varrosi në oborrin e shtëpisë së tij. 52-vjeçari ka pranuar krimin dhe ka shprehur pendesë. Ai pritet të dalë para gjykatës greke për masë sigurie.

/tvklan.al