Nikol Kidman i rikthehet kinemasë pas 6 vitesh, në rolin e protagonistes së një filmi që po ngjall shumë diskutime. Bëhet fjalë për filmin “Babygirl”, një thriller erotik me skena me përmbajtje të fortë seksuale duke vënë edhe vetë aktoren simpatike australiane në vështirësi, ndonëse me role të tilla është mësuar përgjatë më shumë se 4 dekadave të karrierës së saj kinematografike.
“Kjo padyshim më le të ekspozuar, të pambrojtur dhe të frikësuar. Ishte delikate, intime dhe shumë e thellë”.
57-vjeçarja është në rolin e një drejtueseje ekzekutive të një kompanie në Nju Jork që rrezikon karrierën dhe familjen duke hyrë në një lidhje intime me një punonjës të ri në moshë, shumë oportunist. Në qendër të filmit janë dallimet e thella mes gjeneratave të reja dhe atyre të vjetra, për mënyrën se si e shohin seksin në një qytet ku mbretëron “të qenit plotësisht korrekt me ata që të rrethojnë”.
Filmi me regji të holandezes Halina Rejn konkurron mes 21 të tjerëve për trofeun e madh Luani i Artë.
Tv Klan