Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Deputeti Nikollë Lesi i bënë thirrje kryeministrit Nano, që të mos tërheqë padinë familjare siç e quajti ai. Për këtë deklaratë, Lesi iu referua informacioneve të marra në kampin socialist.

Nikollë Lesi: “Kam informacione të bollshme që zoti Nano po gjen një mënyrë siç din ai, që do të thotë, që drejtësia e dënoi, unë po e fal, jo, në parlament e kam thënë, vetëm aty, sepse nuk ka numra. Në një farë mënyrë PS siç thotë një deputet i nderuar nanoist, me këtë çështje është ndarë në tre pjesë.”

Botuesi i “Koha Jonë” sqaroi se në shtypin e tij është kritikuar familja Nano për afera korruptive dhe krim ekonomik dhe jo për jetën private të bashkëshortes së kryeministrit.

Nikollë Lesi: “Ne jemi edhe si Parti Demokristiane, që kemi si simbol familjen, nuk kam hyrë në faktet konkrete të familjes, nuk më intereson është zgjedhje e Fatos Nanos ajo.”

Megjithatë nëse seanca me debat për heqjen e imunitetit do të miratojë prezencën e një monitori në sallë, deputeti Lesi paralajmëron se do të paraqesë provat e tij, që në fakt i përkasin jetës private të zonjës Nano. Botuesi Nikollë Lesi tha, se gazeta “Koha Jonë”, ka mbajtur po të njëjtin qëndrim kritik dhe gjatë qeverisjes demokratike. Megjithatë shefi i opozitës garantoi se për këtë çështje grupi parlamentar demokrat do të votojë kundër heqjes së imunitetit.

Sali Berisha: “Kjo është një mynxyrë e vërtetë, sepse kjo u thotë shtypi, guxoni ju dhe prekni perandorinë time të krimit ekonomik, do të pësoni më keq se Nikollë Lesi.”/tvklan.al