Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Seanca e pasdites së 8 Nëntorit, shënon kulmin e betejës Nano-Lesi, me finalizimin për kërkesën Kolegjit të Gjykatës së Lartë mbi heqjen e imunitetit të deputetit Nikollë Lesi.

Pas interpelancës me ministrin e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit Ben Blushi, në sallën e Kuvendit do të lexohet raporti i komisionit parlamentar të mandateve dhe imunitetit nga kryetari Lekë Çukaj dhe më pas deputeti Nikollë Lesi do të mbajë fjalën menjëherë pas së cilës do të kryhet votimi i fshehtë.

Nikollë Lesi: “Unë jam përgatitur në fjalën time që para deputetëve dhe para shqiptarëve që do jetë një transmetim i drejtpërdrejt televiziv, që të japë dokumente që mund të jenë edhe sekrete që tregojnë fytyrën e vërtetë të kryeministrit shqiptar Fatos Nano, bizneset e tij të paligjshme, shkeljet e ligjit, pra do të tregojmë me dokumente dhe me kaseta nëse më lejon administrata e Kuvendit, kush është kryeministri real i Shqipërisë. Pra unë e kam përgatitur tashmë fjalën time dokumentet e mi, pres vetëm qetësisht seancën parlamentare, që të them ato çfarë kam në dosje.”

Pavarësisht votimit në Kuvend për heqjen e imunitetit, demokristiani Nikollë Lesi do të marrë pjesë në jetën parlamentare, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj