Deputeti njëkohësisht botuesi i gazetës “Koha Jonë” Nikollë Lesi mendon se duhej të renditej i fundit në listën e personave ku kryeministri Fatos Nano duhet t’u kërkojë falje. Lesi përmend Majkon, Ruçin, Ulqinin, Pëllumbin, Ramën etj., si socialistët e cënuar prej fjalorit të Fatos Nanos. Deputeti demokristian reagon pasi lideri socialist kërkoi falje një ditë më parë për ndihmën që i ka dhënë Lesit të zgjidhet si deputet në zonën e Lezhës.

Nikollë Lesi: “E ndoqa kryeministrin Nano në deklaratën që bëri dje në Lezhë për mua si deputet dhe dua të deklaroj se unë personalisht nuk kërkoj falje që kontribova në vitin ‘97 për nxjerrjen nga burgu të Fatos Nanos dhe marrjen e pushtetit nga partia socialiste. Kam vepruar shumë drejt aso kohe pasi pushteti i takonte PS-së. Nëse ka njeri në këtë vend që duhet të rrijë gjithë ditën në gjunjë duke kërkuar falje për mëkatet tija është vetëm Fatos Nano, pastaj mund të jem unë diku nga fundi i listës së politikanëve shqiptarë.”

Edhe deputeti aleancist Preç Zogaj i zgjedhur nga lista e proporcionalit u përmend nga kreu i mazhorancës socialiste për të njëjtën arsye. I pyetur nga Televizioni Klan Zogaj nuk e pa të arsyeshme t’i kundërpërgjigjej kryeministrit Nano, por pohoi se kolegu i tij Lesi po i përgjigjet mjaft mirë kreut të qeverisë. /tvklan.al