Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, u mblodh me pjesëmarrjen e anëtarëve të PS dhe PD. Me bekimin e kryetarit të Kuvendit Pëllumbi, komisioni zgjodhi dy bashkëkryetarët Elmaz Sherifi dhe Jemin Gjana. Sipas demokratit të reformuar Nard Ndoka, i cili ishte i pranishëm në tryezë, komision filloi punën duke shkelur procedurat.
Nard Ndoka: “Kur fillon mbledhja u thuhet, caktohet zoti Elmazi, zoti Gjana dhe të paktën sa për kortezi, një pjesë për dakordësi për anëtarët e tjerë. Nuk kuptoj se është një fillim i mbarë i punës me shkeljen e procedurave të komisioneve parlamentare”.
Jemin Gjana: “Zoti Ndoka, ju keni deklaruar dhe deklaruar që unë kam ardhur si vëzhgues, tani a ka mundësi të mos bëjmë kot debate mes nesh? Nuk ka arsye të bëjmë debat. Ne jemi 9 nga 16, kem shumicën e nevojshme, kjo shumicë ishte konsensuale për atë që u propozua”.
Komisionit do t’i paraqiten vërejtjet e grupit të ekspertëve për ndryshimet në reformën zgjedhore. Pretendimi për të pritur që Gjykata Kushtetuese të shprehej ndaj kërkesës së partive të vogla, u rrëzua nga kryetari i Pëllumbi. Demokratët dhe socialistët vendosën që sekretari i komisionit t’i përkas partive të vogla, duke pritur një afat të dytë për pjesëmarrjen e tyre edhe pse për to, ky komision është i dështuar.
Neritan Ceka: “Mbledhja është legale, por emri është ilegal. Nuk mund të kemi një komision parlamentar derisa kanë dalë me votat e vetëm dy partive ehde në kundërshtim me rregulloren e parlamentit dhe me vetë Kushtetutën. Si rrjedhim edhe vendimet që do të marrin, janë të dështuara sigurisht, sepse ose do të jenë në kundërshtim me partitë e tjera dhe partitë e tjera nuk hanë bar. Mendoj që ishte litari jashtë që la kryeplaku Lipponen dhe si rrjedhim do jetë një gjë që do kalbet mbi togë”.
Dashamir Shehi: “Kjo nuk është gjë tjetër vetëm si kthimi mbrapsht i atij dokumentarit të vjeçëm, kështu ka qenë edhe vjet, rezultatet i dimë të gjithë, kështu që unë do të shpresoja që Gjykata Kushtetuese të merrte një vendim të arsyeshëm në kuptimin që ligjërisht t’i kthejë në valle të gjithë”./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj