Luftë në Gjeorgji. Në mëngjesin e së shtunës avionët luftarakë rusë kanë bombarduar Tbilisin.

Kjo ka çuar në evakuimin e menjëhershëm të parlamentit dhe disa ndërtesave të tjera qeveritare.

Bombardimet ruse kanë shkatërruar dhe infrastrukturën e Potit, qytetit më të madh portual në Gjeorgji, një pikë strategjike për transportin e hidrokarbureve në detin Kaspik.

Sipas presidentit Sakazhvili deri tani kanë humbur jetën rreth 30 persona, megjithatë për liderin e separatistëve të Osetisë së Jugut që nga nisja e luftimeve në rajon bilanci i viktimave flet për 400 të vdekur.

Më shumë se 30 mijë refugjatë nga Osetia e Jugut janë nisur për në Rusi, çka ka bërë zv/kryeministrin rus, Sergei Sobjanin, të denoncojë një katastrofë humanitare.

Luftime të ashpra mes forcave gjeorgjiane dhe ruse po vazhdojnë edhe në kryeqytetin e Osetisë së Jugut, Tsikhvali.

Pamjet televizive tregojnë trupa gjeorgjiane që qëllojnë në rrugët e braktisura të qytetit.

Operacionet ushtarake atje janë të nevojshme për të detyruar Tbilisin të zgjedhë rrugën e paqes, tha presidenti Dimitri Medvedev.

Asnjë objektiv në Gjeorgji nuk do të jetë i sigurt, shtuan më pas forcat qeveritare moskovite.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u mblodh për të dytën herë për të gjetur një zgjidhje për konfliktin dhe u ka bërë thirrje palëve të ulen në tryezën e bisedimeve./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle