Veliaj: Viti 2021, viti rekord i hapjes së shkollave të reja
Shkolla e re 9-vjeçare, që ka nisur të ndërtohet në zonën e Astirit, do të mbajë emrin e publicistit Andrea Stefani. Punimet u inspektuan nga kryebashkiaku Veliaj, i cili tha se 2021 do të jetë viti rekord i hapjes së shkollave të reja.
“Më vjen mirë që kjo shkollë do të mbajë emrin ‘Andrea Stefani’, të një gazetari të drejtë e të ndershëm, për t’u kujtuar të gjithëve se ka ekzistuar një kohë kur gazetaria nuk vilte gjoba dhe kur gazetari përfaqësonte të vërtetën, duke kritikuar çdo lloj pushteti. Shkolla do të ketë 1 mijë banka për fëmijët e njësisë 11, njësisë 7, pra të pjesës fundore të ‘Don Boskos’, Doganës dhe rrethrrotullimit ‘Shqiponja’. Kjo shkollë, bashkë me institucionet e tjera arsimore, që po ndërtohen në Kodër-Kamzë dhe në ‘Don Bosko’, pritet t’i japë zgjidhje nevojave të këtyre zonave”, tha Veliaj.
Krahas paketës prej 17 shkollave të reja, kryeqyteti do të ketë edhe 11 të tjera që do të ndërtohen me financim të qeverisë në kuadër të projektit të rindërtimit nga tërmeti.
“Paketa me 17 shkollat, plus 11 shkollat që na financon qeveria me rindërtimin, si gjimnazi ‘Sami Frashëri’, do të jenë ndërtesa më të mëdha. Në fund të ditës është puna ajo që vlen më shumë se çdo fjali e çdo podium dhe besoj që me të njëjtin ritëm do vazhdojmë deri në fund për të dalë faqebardhë”, shtoi Veliaj.
Paralelisht, Bashkia e Tiranës po punon dhe për dezinfektimin e mjediseve të institucioneve parashkollore dhe shkollore, që gjithçka të jetë gati në Shtator.
Tv Klan