Spitali i ri në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza do të jetë gati për të pritur pacientët në muajin Mars të vitit 2010.
Gjatë një inspektimi mbi ecurinë e punimeve Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, u shpreh se kjo qendër me standarde evropiane do t’u japë zgjidhje problemeve të urgjencave.
Petrit Vasili: “Gjithë kjo urgjencë do të jetë në këto ambiente kaq moderne që ju shikoni nuk do kenë të krahasuar dhe niveli pritjes së urgjencës së parë, mënyra e trajtimit dhe mënyra se si lëvizet në konvejer do të bëjë të mundur që të kemi përfundimisht një nivel të ndihmës së parë të urgjencës tërësisht bashkëkohor.”
Por spitali i ri nuk do të jetë me dyer të hapura për ata që anashkalojnë sistemin e referimit, i cili do të filloj të zbatohet brenda këtij muaji.
Petrit Vasili: “Nuk kemi pse ti mundojmë njerëzit dhe në pikëpamje të zemërimit për të pritur më së koti të strukturave spitalore. Ndërkohë që do ti zgjidhin këto probleme sipas nivelit aty ku duhet. Gjithë investimi që ne po bëjmë këtu dhe kaq i madh tregon që ne kërkojmë që në nivel terciar le të rrisim fuqinë e diagnozës dhe të nivelit të shërbimit në mënyrë që shqiptarët ta ndjejnë përfundimisht dhe veten të qetë e të mos jenë të detyruar më të shpenzojnë para siç i kanë pasur me të drejtë jashtë Shqipërisë, që u ka shkaktuar edhe një stres të madh ekonomik, por edhe psikologjik.”
Në godinën e re spitalore do të vendosen ekzaminimet e imazherisë dhe diagnostikimit, shërbimi i urgjencës, kirurgjia e përgjithshme, reanimacioni, laboratorët kimikë, departamenti i hematologjisë si dhe 7 salla operacioni dhe laboratori histologjik. Gjithsej spitali i ri do të ketë 115 shtretër./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami