Veliaj: Bonus qiraje familjeve derisa të marrin shtëpinë
Bashkia e Tiranës ka mbyllur ciklin e kompensimeve dhe të rindërtimit për 65 banesat dhe 1860 pagesa cash për tërmetin e 21 Shtatorit. Kryebashkiaku Veliaj thotë se fokusi tashmë është te lagjet e reja dhe rindërtimi i pallateve të tërmetit të 26 Nëntorit. Në mbledhjen e radhës, anëtarët e Këshillit Bashkiak miratuan projektvendimin për prishjen e pallateve të dëmtuara të cilat inxhinierët dhe ekspertët e ndërtimit i kanë cilësuar si të parikonstruktueshëm.
“Vendimi ka të bëjë me prishjen e detyruar të ndërtesave pallate, si rezultat i dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ky vendim lidhet me pallatet në Njësinë 6, në zonën e Kombinatit, për të cilin në kemi zhvilluar 8 seanca maratonë, ku çdo pallat është studiuar dhe prezantuar në mënyrë transparente nga inxhinierët, me të gjithë librat e kontrolleve dhe akt-konstatimet e projekteve inxhinerike”.
Veliaj u shpreh se për pallatet e dëmtuara ligji thotë se nëse kostoja e rikonstruksionit të tyre tejkalon 70% te kostos së rindërtimit, duhet bërë nga e para.
“Pra, ky pallat kushton më lirë ta bësh nga e para se sa ta riparosh. Dua të siguroj se çdo banor i këtyre pallateve do vazhdojë të marrë bonusin e qirasë deri ditën që do marrë çelësat e apartamentit të ri në dorë”.
Këshilli Bashkiak mori vendim për të shperblyer me 150 milionë leket ekipin e Tiranës që u shpall kampion për herë te 25-të.
Tv Klan