Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Komisioni i kufijve të zonave zgjedhore zhvilloi mbledhjen e parë publike pas 4 muajsh dhe përfaqësuesit politik diskutuan mbi problemin e listave të zgjedhësve, pjesëmarrjes së ulët në votim dhe ndarjes së re të zonave elektorale. Socialistët ndryshe nga demokratët u shprehën kundër ndryshimit të zonave zgjedhore. Elmaz Sherifi argumentoi, se Kushtetuta dhe kodi zgjedhor i shumë kritikuar, kanë mospërputhje.

Elmaz Sherifi: “Zgjedhës është çdo shtetas me të drejta vote, pra ky është kriteri kushtetues dhe ligjor për ndarjen e zonave zgjedhore. Ndërsa neni 73, pika 1 e kodit, mbi të cilën është bazuar e gjithë ndarja e zonave zgjedhore, si kriter kryesor merr numrin e zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votime. Prandaj nuk mund që ne të hartojmë një projektligj për ta shndërruar në ligj, mbi kritere të kritikuara dhe të deklaruara si të pavërteta dhe të pasakta.”

Sipas Sherifit, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet e kaluar, me ndarjen e re më shumë deputetë do të dilnin nga zonat rurale, sesa nga ato urbane, çfarë bie në kundërshtim me lëvizjet demografike të shtetasve drejt qyteteve të mëdha. Ndryshe nga socialistët, demokratët nuk duan të presin ndryshimet në kodin zgjedhor për të bërë ndarjen e re të zonave zgjedhore.

Fatos Beja: “Ky komision mesi fillon, dekretohet në Maj mesi fillon në Qershor, nuk vjen PS për një periudhë, vjen më vonë dhe me mendimin që ky komision është kot të mos eci, me mendimin që ta bllokojë këtë komision., me mendimin që ky komision të mos kalojë në KQZ, të mos kalojë në parlament, në mënyrë që të kalojë dhe 31 dhjetori dhe pastaj të thotë, që 6muajt e fundit nuk duhen zënë.”

Në rekomandimet e OSBE-ODIHR theksohet, se zonat zgjedhore duhet të përcaktohen çdo 10 vjet. Në Shqipëri zonat zgjedhore u përcaktuan në vitin 2000 dhe sipas kodit në fund të muajit dhjetor duhet të jenë gati zonat e reja zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj