Çelet seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion në ngarkim të ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu.

Siç raporton gazetarja Glidona Daci, të pranishëm në sallë janë vetë i pandehuri bashkë me dy avokatët e tii, Henrik Ligori dhe Ardian Visha. Po ashtu edhe ekspertët që kanë përcaktuar dëmin ekonomik të shkaktuar nga shpërthimi i 15 marsit 2008, familjarët e Erison Durdës, avokati mbrojtës Dorian Matlia dhe dy prokurorët e çështjes Klodian Braho dhe Arben Kraja.

Avokati i Mediut ka kërkuar sqarime nga eksperti i caktuar nga Prokuroria në 2008-ën sa i takon aktit. Ky i fundit është përgjigjur se “nuk është i licensuar.” Pyetjet ndaj ekspertit janë pasuar me një debat mes avokatit Visha dhe gjyqtares Irena Gjoka.

Ardian Visha: Jeni ekspert i licensuar?

Eksperti: Jo.

Irena Gjoka: I tërhiqet vëmendje Ardian Vishës, ka shkelur kodin e etikës.

Ardian Visha: Po prokurori?

Irena Gjoka: Ulu, dhe njëherë fole do dalësh jashtë.

Ardian Visha: Me gjithë dashurinë e madhe për ju dhe respektin, nuk ju lejoj. Të mos lejohet eksperti të japë përgjigjien, ju nuk ju lejohet. Nuk kam dëshirë të punoj kështu. (I drejtohet ekspertit) Mos lejoni të ndërhyjë prokuroria, nuk kemi ndërhyrë kurrë ne. Kush ju ka thënë që do jeni ekspert në këtë çështje?

Gjoka: Nuk pranohet pyetja.

Ardian Visha: Ku punonit ju në kohën kur u caktuat ekspert?

Eksperti: Në Ministrinë e Financave.

Ardian Visha: Sa kohë keni punuar për të bërë aktin?

Eksperti: Nuk e mbaj mend, disa muaj.

Ardian Visha: Sa herë jeni mbledhur gjatë kësaj periudhe?

Irena Gjoka: Nuk pranohet pyetja.

Eksperti: Nuk mbaj mend, kanë kaluar 17 vjet.

Ardian Visha: Ka mundësi të mos ndërhyrë asnjë njeri? Kush e ka shkruar aktin?

Eksperti: Të gjithë bashkë.

Visha: Si e ndatë punën?

Eksperti: Të pestë bashkë.

Ardian Visha: Për pjesën ushtarake çfarë keni shkruar ju?

Eksperti: Unë nuk merrem me pjesën ushtarake.

Ardian Visha: Mbi materialet që ju ka vënë në dispozion prokuroria, çfarë volumi kishte materiali?

Irena Gjoka: Nuk pranohet pyetja. Bëj kujdes me pyetjet që bën!

Ardian Visha: A mund t’i bëni ju pyetjet? Ne të rrijmë kot. Ku i lexonit materialet, në çfarë ambienti, në çfarë selie?

/tvklan.al