28 mijë vogëlushë u ulën për herë të parë në bankat e shkollës

Rreth 350 mijë nxënës në të gjithë vendin kanë nisur vitin e ri shkollor 2024-2025.

“Sipas të dhënave zyrtare rreth 28 mijë vogëlushë do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës.”

Nxënësit e klasave të para që nisin një rrugëtim të ri të dijes, janë më të emocionuarit këtë të hënë shtatori.

Një peshë të rëndësishme për këtë grupmoshë kanë edhe mësueset e tyre, siç është edhe mësuese Eva që për rreth 27 vite u ka dhënë mësim brezave të shumtë.

Eva Rama, mësuese e Klasës së Parë, Shkolla “Vasil Shanto”: Shumë e emocionuar dhe jam e lumtur. Unë jam prej 27 vitesh në këtë shkollë dhe ka shumë herë që e përsëris klasën e parë. Të gjithë nxënësve të klasave të para unë ju uroj shumë suksese, shëndet dhe mbarësi. Jo vetëm nxënësve, por edhe prindërve.

Dita e parë e shkollës është një sfidë e re edhe për nxënësit e Klasave të 10-ta, ku në Gjimnazin “Qemal Stafa” të kryeqytetit janë 10 klasa për këtë grupmoshë.

Klotilda Jaupi, Drejtore e Gjimnazit “Qemal Stafa”: Është një peshë shumë e rëndë. Kërkesat kanë qenë shumë të larta. Momentalisht kemi hapur 10 klasa të 10-ta dhe jemi brenda limitit që kemi nxjerrë sepse nxorrëm 10 matura dhe hapëm 10 klasa të 10-ta. Ka pasur një plan të mirëmenduar për shpërndarjen e nxënësve, kështu që kjo ka qenë një pikë pozitive.

Këtë vit shkollor më shumë se 238 mijë nxënës të arsimit bazë dhe atij të mesëm përfitojnë tekstet shkollore falas, me financim nga buxheti i shtetit.

Një vëmendje e madhe këtë vit të ri shkollor i kushtohet nxënësve me nevoja të veçanta për të cilët do të ketë 2,100 mësues ndihmës, 200 më shumë se në vitin 2023.

Po ashtu 240 oficerë sigurie do të jenë të dedikuar për sigurinë e nxënësve në shkolla, rreth 40 më shumë se në vitin 2023.

Njëkohësisht për mbarëvatjen e procesit mësimor janë marrë të gjitha masat nga Policia e Shtetit dhe ajo Bashkiake për disiplinimin e trafikut, veçanërisht pranë shkollave kudo në vend.