Kënga Magjike në këtë 10-vjetor të saj do të sjellë këngë të denja për një festival të suksesshëm.
Sot gara quhet zyrtarisht e nisur, ndaj dhe komisioni nuk favorizon asnjë, qoftë edhe vetëm duke i përmendur emrin.
Janë 195 këngë të ardhura nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe shqiptarë që jetojnë në Zvicër, Austri, Gjermani e Amerikë.
Cilësia e lartë e këngëve që kanë hyrë në garë këtë vit ka bërë që të përmbyset parashikimi i komisionit që do paraqiteshin 72 këngë, por meqë këngët e ardhura u paraqitën në nivel profesional të lartë komisioni vendosi të rrisë numrin e tyre në paraqitjen që do të bëhet çdo ditë të diel në TV Klan.
Anëtarët e komisionit vlerësues të këngëve janë Irma dhe Eranda Libohova, Manjola Nallbani, Julka, Andi DJ, Aldon Lipe dhe prezantuesi i emisionit radiofonik, Kolo.
Irma Libohova: “Jam duke dëgjuar. Ka prurje, ka stile. Duhet thënë që edhe firmat, këngëtarët më të vjetër, janë përpjekur mjaft dhe kanë këngë të bukura”.
Julka Gramo: “Janë këngë magjike që mund të shkojnë fare mirë dhe të përcjellin magjinë e tyre në Evropë”.
Manjola Nallbani: “Gjëja që bën përshtypje përveç interpretimit vokal është edhe se kompozitorët, sidomos ata që janë kompozitorët më në zë janë kaq të adoptuar me rrymat dhe me preferencat e kohës.”
Eranda Libohova: “Në këto momente në fakt jemi duke dëgjuar këngët e të rinjve. Duhet thënë që është një gjeneratë, e cila sjell prurje shumë interesante dhe shumë origjinale dhe është vështirë vërtet për t’i selektuar. Mendoj që i duhen shumë Këngës Magjike, por të rrinë mirë përkrah big-ve të muzikës”.
Komisioni i vlerësimit në Këngën Magjike vlerëson këngët pa ditur emrat e kompozitorëve dhe të këngëtarëve dhe meqë kjo është një garë, komisioni ka vetëm një përgjigje.
Është e pamundur të shkëputen emra këngëtarësh të famshëm apo të rinj. Për komisionin ata janë të gjithë njëlloj, por një gjë konfirmohet hapur, prurjet e këtij viti garantojnë festival të suksesshëm në jubileun e Këngës Magjike./tvklan.al
Gazetare: Anjeza Maja