Shtetasit shqiptare qe nuk do te disponojnë një pasaporte biometrike nuk do te mund te përfitojnë nga liberalizimi i vizave dhe për pasoje nuk do te mund te qarkullojnë pa to ne vendet e Bashkimit Evropian.
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, deklaron për TV Klan se procesi për pajisjen me pasaporta do te zgjasë deri ne fund te vitit 2009 nëse do te ecet me te njëjtin ritëm si me atë te pajisjes se shtetasve me kartat e identitetit.
Bujar Nishani: “Në një moment të afërt kur Shqipëria do ta përfitojë vendimin e Bashkimit Evropian për të lëvizur qytetarët e saj jashtë Shqipërisë pa viza, natyrisht ky do të jetë një përfitim vetëm për ata qytetarë të cilët do të disponojnë pasaportën biometrike. Qytetarët të cilët nuk do ta disponojnë pasaportën biometrike nuk do të arrijnë ta përfitojnë, nuk do të lëvizin dot pa vizë. Pasaporta aktuale tashmë është e njohur nga të gjitha shtetet, është e njohur nga të gjitha ambasadat, është e integruar në të gjitha sistemet e kontrollit të të gjitha pikave të kalimit kufitar në të gjithë Evropën dhe besoj që jam i sigurt që në momentin që një qytetar shqiptar do të paraqesë një pasaportë biometrike trajtimi do të jetë shumë më dinjitoz nga policitë kufitare të çdo vendi evropian”.
Ministri Nishani tregon dhe marrëveshjen e orëve te fundit me te gjithë trupin diplomatik, për njohjen e vizave afatgjata, qe një shtetas shqiptar i disponon ne pasaportën aktuale.
Bujar Nishani: “Së bashku me Ministrinë e Jashtme kemi arritur disa hapa të tjerë të rëndësishëm siç është për shembull transferimi i vizës nga pasaporta e vjetër në pasaportën biometrike që do të thotë nëse një qytetar ka një vizë me afate të gjata ne pasaportën aktuale në momentin që ai pajiset me pasaportën biometrike konsullata e ambasadës përkatëse që ka lëshuar vizën është e gatshme të transferojë vizën që ka nga pasaporta e vjetër në pasaportën biometrike kjo. Është një lehtësi e madhe në mënyrë që asnjë qytetar që ka një vizë valide në pasaportën aktuale të mos e humbë të drejtën e përdorimit të asaj vize.”
Pasaporta e re biometrike e prodhuar nga firma franceze, Saxhem, është një dokument me te gjitha parametrat e larte te sigurisë. Për t’u pajisur me një pasaporte te tillë, Nishani thotë se duhet ndjekur e njëjta procedure si ajo e pajisjes me kartat e identitetit, ndërsa çmimi real i një pasaporte te re është 6 mije leke te reja.
Bujar Nishani: “Padyshim që është e rëndësishme vullneti i qytetarëve, por përsa kohë është i lidhur drejtpërdrejt me interesa direkte të qytetarëve shqiptarë, siç është pasja e një dokumenti dinjitoz, trajtimi dinjitoz dhe përfitimi i atyre që kanë pasaportën biometrike, i lëvizjes pa viza jashtë Shqipërisë besoj që përputhet vullneti me interesin, të cilat janë një domosdoshmëri për ta pasur të suksesshëm këtë proces”./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani