Vetëm pak na ndan nga gjysmëfinalja e parë e festivalit të 11 “Kënga Magjike”.
Këto momente tregojnë provat gjenerale në Pallatin e Kongreseve, ku gjithçka është gati për të pritur këtë mbrëmje, një shfaqje me sh të madhe.
Janë plot 46 këngëtar nga të gjitha trevat shqiptare që pas prezantimit në spektaklin “E diela Shqiptare” do të sjellin për publikun mbarë shqiptar këndej e andej kufijve 46 këngë të reja, që ngërthejnë të gjitha rrymat e muzikës së kohës.
Sidrit Bejleri: “Erdhi ora që të marr pjesë edhe unë në “Këngën Magjike” dhe të them të vërtetën deri tani jam shumë i kënaqur. Rëndësi ka që kënga të pëlqehet, kënga të ngeli si më thënë në popull.”
Soni Malaj: “Nga që kam konkurruar dhe e fundit, javën e fundit, por shpresoj që njerëzit ta pëlqejnë këngën dhe domethënë publiku në përgjithësi ta përthithi më shpejt këngën time sepse është ajo që sa do e mësojnë, sa do familjarizohen më këngën time për të dhënë tamam atë opinionin e tyre real.”
Olta Boka: “Duke qenë se kam dhënë më të mirën shpresoj të marr diçka të mirë, por ajo që më të vërtetë më intereson më shumë është nëse unë arrij të pëlqehem nga publiku.”
Mira Konçi: “Thjesht dëshira për këngën, kjo më ka rikthyer domethënë dhe pres që të pëlqehet kënga, ky është synimi asgjë tjetër. Dëshira për të qenë në skenë, dëshira për të kënduar gjithmonë, kjo është arsyeja e rikthimit.”
Kejsi Tola: “Do të ishte kënaqësi shumë e madhe në qoftë se do të merrja edhe një çmim absolutisht. Është hera ime e parë në “Këngën Magjike”, eksperiencë e re dhe ndryshe nga të gjithë ato që kam pasur deri tani.”
Adelina Ismaili: “Fiks para 10 vitesh unë te “Kënga Magjike” mbarova me festivalet, fiks pas 10 vitesh unë po kthehem te “Kënga Magjike” me festivalet. Ka kohë që kam mbartur aktivitetet e mia muzikore jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Është në interesin tim që të prezantoj një këngë, besoj e bukur nga gjykimet që kam marrë deri tash.”
Por ajo që gjithnjë kërkojmë është magjia e re e festivalit, koncepti i ri i tij me qëllimin e vetëm për të mbërthyer si spektatorin edhe teleshikuesin pas ekranit.
Aldon Lipe: “Si në çdo festival edhe tek “Kënga Magjike” e këtij viti bukuria më e madhe dhe atmosfera më e bukur sigurisht janë këngët, të cilat janë të papara sidomos ky edicion. Parashikohet që te këtë më tepër se sa garë, ka për të qenë një lloj show dhe për këtë ne ju garantojmë”
Si gjithnjë transmetimi direkt në Tv Klan dhe përtej kufijve në Kosovë e Maqedoni do të bëhet përmes kamerave të kudondodhura e një regjie televizive të drejtuar nga regjisorët nga Kosova, Agron Mulaj dhe Astrit Idrizi. Skenografia dhe ndriçimi mbajnë firmën e mjeshtrave italian Gaitano Casteli dhe Franco Ferrari.
Franco Ferrari: “Këtë vit publiku do të surprizohet shumë, pasi do të jetë një skenografi shumë, shumë e mistershme dhe po aq e bukur, që do të jetë një risi e madhe. Kështu dritat do ti përshtaten kësaj skenografie dhe publiku do të kënaqet. Por unë po e lë surprizë që ata ta shohin pikërisht në natën e parë.”
S’na mbetet tjetër veç të presim të trokasë ora e festivalit “Kënga Magjike” për të shijuar surprizat një pas një deri në finalen e ndarjes së çmimeve./tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani