Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Nisën punimet për sistemimin e rrugëve dhe lulishteve në të dyja anët e rrugës së Kombinatit. Lulishtet parashikohen që të shtrihen në një gjerësi deri në 9 metra në të gjithë gjatësinë e kësaj zone. Brenda lulishteve do të ngrihen mjedise pushimi dhe qëndrimi, ku pritet të mbillen pemë dekorative me gjelbërim gjatë gjithë vitit.

Edi Rama: “Kombinatsit janë një komunitet fantastik në bashkëpunim dhe në komunikim të vazhdueshëm me bashkinë e Tiranës dhe në Kombinat ashtu si dhe në të gjitha zonat e tjera në fakt, ne po plotësojmë agjendën e premtimeve, duke ndërtuar dy lulishte të mëdha në dy krahët e rrugës kryesore dhe duke filluar me rehabilitimin e rrugëve të brendshme, gjë që do pasoj pastaj dhe me një projekt tjetër të premtuar, të aprovuar dhe tashmë të financuar, me ndihmën e qeverisë italiane. Jemi në rrugën e duhur, në rrugën e punës dhe jo të llafeve”.

Projekti parashikon dhe ndërtimin e dy rrugëve paralele me një gjerësi 6 metra, si dhe trotuar 2 metra nga secila anë e ndërtesave. Vlera e plotë e këtij investimi do të arrijë 70 milion lekë nga të ardhurat e bashkisë së Tiranës./tvklan.al