Mbrëmjen e kësaj të premteje do të hapen zyrtarisht lojërat olimpike Paris 2024. Me garat që do të përfundojnë më 11 gusht. Ceremonia e hapjes së do të mbahet në lumin Seine, i cili kalon nëpër kryeqytetin francez.
Ngjarja e mbrëmjes së sotme do të jetë ceremonia e parë e hapjes olimpike e mbajtur jashtë një stadiumi. Në Paris, atletët do të parakalojnë me varka poshtë lumit Seine. Flotilja do të fillojë në orën 19:30. Sipas organizatorëve, rreth 84 varka do të udhëtojnë për pothuajse katër milje si pjesë e ceremonisë.
Rreth 10,500 atletë që përfaqësojnë 206 shtete do të marrin pjesë në lojëra. Rreth 120 krerë shtetesh, mbretër dhe liderë të tjerë do të ndjekin ceremoninë. Ata u pritën një ditë më parë nga presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe ai i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach. Mes tyre ishte edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Olimpiada e Parisit ka patur vëmendjen më të madhe edhe nga organizmat e sigurisë. 45 mijë policë, forca speciale, francezë dhe të huaj do të jenë të angazhuar për sigurinë e sportistëve dhe spektatorëve.
Por jashtë kryeqytetit të Francës tre linja trenash me shpejtësi të lartë janë dëmtuar gjatë natës, me zjarrvënie duke shkaktuar ndërprerje masive në trafik. Vandalët kishin shënjestruar shinat e linjave që lidhin Parisin me Lille, Bordeaux dhe Strasburg. Situate do t’i rikthehet normalitetit vetëm të hënën e javës së ardhshme.
Këtë të premte Parisi u zgjua nën shi dhe vranësira, por kushtet atmosferike nuk do të ndryshojnë planet e organizatorëve. Pritet që ceremonia e hapjes të ndiqet nëpërmjet televizorit nga rreth 3 miliardë persona në mbarë botën.
Tv Klan