Një ditë pas daljes nga greva e urisë së bashku me 9 deputetet mbështetës, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim bëri të ditur për mediat etapën e dytë të aksionit politik, që sipas tij do të mundësojë krijimin e një aleance të gjerë për të rivendosur lirinë e votës.

Meta u shpreh i vendosur për të ndjekur të gjitha procedurat ligjore përfshi dhe atë të ankimimit në gjykatën kushtetuese, për kapitullin e kontestuar prej tij atë të administrimit të zgjedhjeve.

Ilir Meta: “Nga sot ne do të fillojmë komunikimin politik dhe qytetar për krijimin e një aleance të gjerë të lirisë, që do t’u garantojë shqiptarëve lirinë e votës. Ne do të ndjekim të gjitha procedurat ligjore dhe institucionale duke evidentuar të gjitha shkeljet.”

Duke komentuar ndasitë e mëdha në prag të zgjedhjeve të 2009, mes partisë së tij dhe selisë rozë si dy forca opozitare, Meta u shpreh i vendosur në alternativën e tij për shenjtërinë e votës, me argumentin se lidershipi socialist tashmë ka shkelur mbi çdo marrëveshje duke ulur kështu garancitë për zgjedhje të lira.

Ilir Meta: “Janë të tjerë ata që jo vetëm kanë shkelur marrëveshjet për reformat zgjedhore që garantojnë zgjedhje të ndershme dhe të lira, por që janë bërë pjesë e një komploti jo kundër LSI-së, jo kundër partive tjera, por kundër shpirtit liridashës të të gjithë shqiptarëve për të qenë të lirë dhe të barabartë të paktën te vota e tyre.”

Përshkallëzimi i aksionit politik të LSI-së përveç komunikimit me ndërkombëtaret do të nisë të mërkurën nga sheshi “Skënderbej”, ku vetë Meta ndërsa i falënderoi qytetarët për suportin e dhënë përgjatë nëntë ditëve të ngujimit në grevë, i ftoi sërish ata të jenë nën mbrojtjen e votës së lirë./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro