Socialistët kanë reaguar ndaj vendimit të presidentit Topi  për të mos  dekretuar kodin e ri zgjedhor. Ndonëse mirëkuptohet kërkesën e presidentit për saktësimin e nuancës juridike që lidhet me afatin ligjor për nxjerrjen e dekretit për datën e zgjedhjeve, selia rozë konstaton.

PS: “Në këndvështrimin tonë ky afat është një parim i përgjithshëm që vendoset në Kodin Zgjedhor dhe Presidenti nuk ka aktualisht asnjë pengesë për dekretimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës.”

Por pavarësisht kësaj Partia Socialiste shprehet e gatshme që pa humbur, sikurse theksohet në njoftim për shtyp, të votojë në Kuvend për saktësimin e nuancës juridike që lidhet me nenet 8 dhe 9 të kodit të ri zgjedhor. Në një tjetër reagim republikani Arian Madhi, thotë se vendimi i presidentit krijon konfuzion të panevojshëm që vetë Topi mund ta kish mënjanuar nëse nxitonte në shqyrtimin e ligjit të ri zgjedhor.

Logjika e Madhit lidhet me përfundimin e mandatit të kuvendit, në 3 shtator. Çfarë do të thotë se 3 Dhjetori i vitit 2008 shënon plot 9 muaj nga mbyllja e afatit të Kuvendit.

Arian Madhi: “Por presidenti pavarësisht nga kushtetuta që ka 20 ditë në dispozicion jo gjithmonë e ka ezauruar këtë kohë. Pra nëse do ishte punuar me një shpejtësi më të madhe sigurisht do kishte fituar dhe ditë më shumë. Sido që të ishte edhe nëse do dekretohen në 8 Dhjetor të marrim shembullin apo në 10 Dhjetor shembull abstrakt. Sido që të jetë kjo nuk do të sillte pasoja absolutisht juridike. Për shkak sepse asgjë edhe me përjashtim vetëm të faktit që mund të ishim korrekt me datën 3 Dhjetor. Por nga ana tjetër të kthehet mbrapsht tani sigurisht ju kuptoni që krijohet në konfuzion i madh.”


LSI, e  vendosur në kampin e partive kundërshtare të kodit kryesisht mbi çështje të administrimit të zgjedhjeve, e shesh vendimin e presidentit si një mundësi për partitë e mëdha që të reflektojnë. 

Pëllumb Xhufi: “Kthimi për rishqyrtim në Kuvend konfirmon shqetësimin e përhershëm dhe të vazhdueshëm të LSI-së. Lidhur me procedurat me të cilat është ecur për hartimin dhe për kalimin e këtij kodi.”

Pas vendimit të kryetarit të shtetit pritet që Kuvendi të sqaroje këtë moment që duket të jetë thjesht dhe vetëm një çështje teknike dhe jo kundërshti mbi përmbajtjen e ligjit të ri zgjedhor. /tvklan.alGazetare: Menada Zaimi