Vendimi i presidentit të republikës për të mos dekretuar kodin e ri zgjedhor ka nxitur reagimin e partive të vogla parlamentare kryesisht atyre që e kanë kundërshtuar miratimin e tij për shkak të përmbajtjes.
Sipas logjikës që parashtron Arjan Madhi në cilësinë e anëtarit të komisionit bipartizan që hartoi ligjin e ri zgjedhor, veprimi i kryetarit të shtetit tingëllon të jetë i nxituar.
Sipas kodit të ri zgjedhor presidenti dekreton datën e zgjedhjeve 9 muaj përpara përfundimit të afatit të Kuvendit. Llogaritet që punimet e Kuvendit të mbyllen në 3 shtator çfarë do të thotë 3 dhjetori i vitit 2008 shënon plot 9 muaj nga mbyllja e afatit të Kuvendit.
Arjan Madhi: “Komisioni i reformës zgjedhore dhe më pas parlamenti vendosi datën 3 duke mbajtur parasysh në një lloj mënyre edhe shpejtësinë e veprimit pa paragjykuar asnjëherë nevojën që kishte presidenti për tu konsultuar për ligjin. Por presidenti pavarësisht nga kushtetuta që ka 20 ditë në dispozicion jo gjithmonë e ka ezauruar këtë kohë. Pra nëse do ishte punuar me një shpejtësi më të madhe sigurisht do kishte fituar dhe ditë më shumë. Sido që të ishte edhe nëse do dekretohen në 8 dhjetor të marrim shembullin apo në 10 dhjetor shembull abstrakt. Sido që të jetë kjo nuk do të sillte pasoja absolutisht juridike. Për shkak sepse asgjë edhe me përjashtim vetëm të faktit që mund të ishim korrekt me datën 3 dhjetor. Por nga ana tjetër të kthehet mbrapsht tani sigurisht ju kuptoni që krijohet në konfuzion i madh, konfuzioni mbi respektimin e të gjitha afateve tjera që kanë të bëjnë me procedurat ”
LSI, e vendosur në kampin e partive kundërshtare të kodit kryesisht mbi çështje të administrimit të zgjedhjeve, e shesh vendimin e presidentit si një mundësi për partitë e mëdha të reflektojnë.
Pëllumb Xhufi: “Kodi siç rezulton karakterizohet nga shkelje dhe gafa të rënda juridike. Kthimi për rishqyrtim në Kuvend konfirmon shqetësimin e përhershëm dhe të vazhdueshëm të LSI-së. Lidhur me procedurat me të cilat është ecur për hartimin dhe për kalimin e këtij kodi.”
Pas këtij vendimi të kryetarit të shtetit pritet që Kuvendi të sqarojë këtë moment që presidenti e ka shënjuar si kundërshti ligjore dhe kushtetuese./tvklan.alGazetare: Menada Zaimi