Shkelje juridike i ka cilësuar në një interviste për televizionin Klan , presidenti i nderit i republikanëve Sabri Godo vonesat në zbardhjen e procesit të nisur që prej dy vitesh lidhur me hetimet për rrugën Durrës- Kukës.
Sabri Godo: “Kemi të bëjmë të paktën formalisht me një shkelje juridike që përbën edhe një problem moral në planin njerëzor do thoja. Nuk mund të zgjatet në pafundësi hetimi ndaj një personi duke e mbajtur nën akuzë pa i thënë asgjë për gati 2 vjet. Lulzim Basha sipas meje është kryediplomati më i aftë që kemi patur në këto 17 vjet dhe që ka mbrojtur interesat e vendit me eficencë. Është treguar një ministër me të vërtetë i aftë. ”
Duke ftuar klasën politike që të lerë drejtësinë në punën e saj, Godo komentoi akuzat e ngritura nga opozita për procesin e nisur nga prokuroria në adresë të ministrit të jashtëm Lulzim Basha.
Sabri Godo: “Kjo opozitë nuk ka të drejtë morali të bëjë asnjë akuzë, megjithatë le t’ia njohim këtë të drejtë. Kjo opozitë duhet të përgjigjet për atë se ç’bëri me 300 milion dollar që grumbulloi si e quajtur taksë e Majkos për rrugën Durrës-Kukës. Dhe pse për 8 vjet nuk bëri asgjë atje, qeveria e atëhershme me vetëdije ose për imkopetencë të saj u ka shërbyer qëllimeve të huaja. Dikush ka qenë i interesuar që të mos bjerë pesha e portit të Selanikut dhe të Gumenicës. Sepse hapja e rrugës Durrës-Kukës, hapja e rrugës së Kosovës drejt detit, por edhe për Maqedoninë e ndonjë vend tjetër përreth do të referojë në të ardhmen me doemos Durrësin si rrugën më të shkurtër dhe më komode.”
I pyetur nga Klan dhe në lidhje dhe me rikthimin në Kuvend të kodit zgjedhor nga ana e kreut të shtetit. Sabri Godo u shpreh se rishikimi i tij është një çështje teknike që nuk duhet të shoqërohet me ndërhyrje në të, pasi sipas tij e vetmja detyrë që del përpara klasës politike është zbatimi i tij me rigorozitet.
Sabri Godo: “Kjo do të quhet një çështje e mbyllur, kodi është votuar me një shumicë shumë të madhe votash që ka marrë në parlament. Tani të gjithëve na mbetet të mendojmë se si do të bëjmë për ta zbatuar këtë kod me korrektësi. Që të arrijmë në fund të bëjmë zgjedhje të lira dhe të pranueshme që janë të domosdoshme.”/tvklan.al