“Mirëmëngjes” kështu titullohet kënga me të cilën Blerina Braka konkurron për të marrë çmimin e madh në festivalin e “Kënga Magjike”. E ftuar në studion e “Aldo Morning Show”, këngëtarja tregon se kjo këngë përfaqëson një kauzë jo vetëm të shoqërisë sonë, por e të gjithë botës, dhe ka të bëjë me dhunën ndaj grave.
Duke iu referuar mesazhit që kënga e saj kërkon të përcjellë Blerina Braka u shpreh se donte që nëpërmjet tekstit dhe melodisë t’u kujtonte të gjitha grave dhe vajzave që të jenë të forta.
Aldo: Kënga jote “Mirëmëngjes” është një thirrje për gratë e dhunuara që e duan jetën. Kjo më tepër se një këngë, është një kauzë?
Blerina Braka: Mendoj se është një kauzë sepse ndodh rëndom në shoqërinë tonë, besoj se jo vetëm në Shqipëri, por dhe në mbarë botën, sigurisht në Shqipëri është më e theksuar kjo.
Aldo: Cili është mesazhi kryesor që ti ke dashur të japësh me këtë këngë?
Blerina Braka: Do doja që t’i kujtoja femrës, gruas që është shumë e fortë dhe këtë gjë duhet ta përballojë më së miri, duke ecur para, pra duke i dhënë forca vetes.
“Të gjitha ne femrat jemi të prekura nga kjo,” ka vazhduar më tej këngëtarja teksa shprehet se tashmë në tregun muzikor dhe është shumë e rëndësishme që kënga të trajtojë një temë sociale.
Aldo: Ka ardhur koha që secila këngë, secila vepër arti të ketë mesazhin e vet? Sa e rëndësishme është tema?
Blerina Braka: Temat e aktualitetit janë më afër, janë më të prekshme, me dashurinë jemi ngopur. Njerëzit janë të stresuar, do thuash ti që ne ua shtojmë dozën e stresit duke bërë kështu gjëra dramatike, por në rastin konkret mendoj se unë kisha për qëllim t’i zgjoja. Tamam “mirëmëngjes” t’i zgjoja nga ajo gjendje që ndodhen.
Aldo: A ka ndodhur ndonjëherë që ato gjërat e tua personale, ndodhitë të ndikojnë në krijimtarinë tënde?
Blerina Braka: Me thënë të drejtën po, kjo është e pashmangshme, por në rastin konkret nuk është teksti im. Por lidhet, kemi njerëz afër që dëgjojmë histori të tilla. Ore mund ta them me sinqeritet që të gjitha ne femrat jemi disi të prekura nga kjo gjëja, kush më shumë e kush më pak, por besoj të gjitha sepse është opinioni vetë, është trysnia./tvklan.al