Ndonëse gjendja shëndetësore e Papa Françeskut mbetet kritike, sipas Vatikanit ai ka kaluar një natë të qetë. Në deklaratën e lëshuar nga Selia e Shenjtë sqarohet se ai ka fjetur dhe ka pushuar.
Testet e gjakut tregojnë se ka patur edhe një problem me veshkat, por që sipas Vatikanit është nën kontroll.
Detajet e reja mbi shëndetin e Atit të Shenjtë vijnë pas deklaratës së të dielës ku u sqarua se 88-vjeçari kryeu transfuzione gjaku pasi analizat mjekësore zbuluan mungesë trombocitesh që shoqërohet me anemi të theksuar.
Papa u shtrua në spitalin Gemelli të Romës më 14 Shkurt, pasi pati vështirësi në frymëmarrje për disa ditë, ku u trajtua fillimisht për bronkit përpara se të diagnostikohej me pneumoni të dyfishtë.
Ati i Shenjtë fatmirësisht nuk ka përjetuar asnjë krizë respiratore që nga mëngjesi i së shtunës.
Më herët të dielën, Papa ndoqi meshën në dhomën e tij në spitalin Gemelli me mjekët dhe infermierët që po mbikëqyrin gjendjen e tij shëndetësore.
Klan News