Klan News ka siguruar një tjetër video të atentatit ku mbeti i vrarë Klaudio Prendi. Siç shihet në këto pamje më të qarta, 27-vjeçari hyn në mjetin e G Class dhe pas rreth 3 sekonda afrohen autoret të cilët e qëllojnë me 5 plumba nga mjeti i tyre Audi A4. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në zonë rezulton se ata kanë lëvizur disa herë në rrugën përballë lokalit, çka tregon se kanë qenë në dijeni të plotë se ku ndodhej objektivi.
Mësohet se ai ka qenë në lokal së bashku me 3 miqtë e tij policë. Dy prej tyre e kanë dërguar menjëherë në spital, ndërsa tjetri i është vënë në ndjekje autorëve, të cilët kanë humbur gjurmët pas disa minutash.
Pas rreth 30 minutash ‘Audi A4’ është djegur në zonën e Farkës. Rezultoi se kjo makinë ka qenë e vjedhur para një viti në zonën e liqenit artificial dhe është denoncuar në polici nga pronari i saj.
Policia e Tiranës ka shtrirë hetimet për vrasjen e Klaudio Prendit edhe në pistën e fajdeve dhe basteve sportive. Hetuesit kanë dyshime se 27-vjeçari u ka pasur borxhe disa personave dhe për këtë është konfliktuar disa herë me ta. Ka dyshime se ata kanë fituar shuma të mëdha parash në baste, të cilat Prendi nuk ua ka dhënë.
Klan News