Detaje të tjera janë zbuluar nga vrasja e 27-vjeçarit Klaudio Prendi, ngjarje që ndodhi në Tiranë në orët e para të së martës (19 Nëntor). Makina tip “Audi A4” e autorëve, e cila u shkrumbua në zonën e Farkës, rezulton e vjedhur një vit më parë në zonën e Liqenit Artificial në kryeqytet. Identifikimi u bë nga numri i shasisë së makinës që u rikuperua nga ekspertët. Pronari i mjetit e ka denoncuar mjetin e vjedhur që në kohën kur ka ndodhur ajo.
Ndërkohë hetuesit po verifikojnë të tjera pista për të zbardhur këtë ekzekutim mafioz në mes të Tiranës. Në syrin e grupit hetimor janë edhe pistat e fajdeve dhe basteve sportive, përfshirë edhe lidhje me aktivitete apo lidhje të dyshimta jashtë vendit. Agjentët kanë dyshime se persona të ndryshëm kanë fituar shuma të mëdha parash në baste, të cilat Prendi nuk i ka shlyer.
Një ditë më parë u publikua momenti i vrasjes së të riut. Ai u qëllua kur la ambientet e lokalit dhe u fut në mjetin e tij. Sapo mbylli derën e shoferit, autorët me “Audi” e qëlluan me armë. Më pas ata u arratisën drejt Farkës, ku dogjën makinën. Aty policia ka gjetur një pistoletë plotësisht të shkrumbuar.
Policia ka mësuar se i riu ka pasur një shumë rreth 15 mijë Euro për të kthyer dhe për këtë arsye dyshohet se është konfliktuar me grushta disa ditë më parë. Kjo është një tjetër pistë në tavolinën e hetuesve, por deri më tani nuk dihet me saktësi se çfarë fshihet pas ngjarjes.
Babai i viktimës, ish-gjyqtari Fran Prendi, në dëshminë e tij ka thënë që ishte në dijeni që djali i tij kishte konflikte me të tjerë, por nuk e mendonte sa do të përfundonte deri në atentat./tvklan.al