Ky është momenti i ekzekutimit i 27 vjeçarit, Klaudio Prendi pak pas mesnatës së të hënës, në zonën e Porcelanit në Tiranë. Pamjet janë fiksuar nga një kamera sigurie, përballë vendngjarjes, ku shfaqet viktima teksa hipën në makinën e tij tip Mercedes G Class, parkuar në rrugën “Xhanfize Keko”.

Teksa futet i vetëm në automjet, shquhet makina e autorëve, një Audi ngjyrë gri me portobagazh që afrohet me shpejtësi paralel me të nga ku qëllohet 7 herë në drejtim të tij.

Në videon e fiksuar, shihet dhe një Fuoristradë e parkuar pas automjetit të viktimës, i cili në momentin e atentatit lëviz indietro, e më pas afrohet sërish tek makina e Klaudio Prendit pasi largohen autorët.

Krahas këtyre pamjeve, policia dhe prokuroria ka administruar kamera të shumta sigurie, përmes të cilave ka dyshime se atentatorët kanë pritur objektivin e tyre, jashtë lokalit ku ndodhej me miqtë e tij, mes tyre punonjës policie, për mbi 1 orë.

Pasi kryen ekzekutimin, autorët u larguan në drejtim të zonës së Xhamllikut, për të dalë më pas në Unazën e Madhe e më tej në Farkë, aty ku dogjën makinën së bashku me armën tip pistoletë me silenciator. Deri në këtë fazë policia dhe prokuroria po verifikon disa pista, mes tyre dhe atë të një konflikti të mundshëm të kohëve të fundit për çështje fajdesh, që dyshohet se ishte përfshirë viktima.

Tv Klan