Policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona për vrasjen e Klaudio Prendit, krim i ndodhur në 19 Nëntor në zonën e “Porcelanit” në Tiranë.
Hetuesit dyshojnë se mes tyre janë vrasësit dhe organizatorët e atentatit, por për mungesë provash, ata u lanë të lirë. Policia beson se atentati u krye nga vrasës me pagesë ndërsa është në pritje të përgjigjes edhe nga Greqia për shkak se targat e përdorura në automjetin e autorëve ishin vjedhur në shtetin fqinj.
Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se Klaudio Prendi gjatë 1 viti ka pasur dy herë konflikt me disa persona për çështje borxhi. 27-vjeçari dyshohet se nuk u ka kthyer paratë e fituara në loto.
Konfliktin e fundit e ka pasur 5 javë para ekzekutimit, ku dyshohet se ai është dhunuar nga disa persona. Mesnatën e 19 Nëntorit të vitit të kaluar, Prendi ishte në lokal në shoqërinë e tre miqve të tij, efektivë policie. Pasi doli nga lokali ai u fut në makinën e tij “G Class”, parkuar përballë lokalit.
Në këtë moment autorët i afrohen me një mjet Audi dhe e qëllojnë me 5 plumba me silenciator. Një prej shokëve të tij mundi t’i ndjekë atentatorët, por pa arritur t’i ndalojë.
Klan News