Këto janë momentet e ekzekutimit të 27-vjeçarit Klaudio Prendi pak pas mesnatës së të hënës në zonën e Oxhakut në kryeqytet. Pamjet janë dokumentuar nga një kamera sigurie pranë vendit të ngjarjes, në të cilën shfaqet i riu duke hipur në mjetin e tij Benz G Class. Sapo ngjitet në makinë, autorët të cilët qëndronin duke e pritur në një Audi A4 ngjyrë gri me portobagazh afrohen me shpejtësi paralelisht dhe qëllojnë ndaj tij 7 herë.
Në këto pamje shfaqet dhe një makinë tjetër fuoristradë që ishte parkuar pas makinës së viktimës. Në të ndodheshin miq të tij, mes tyre dhe punonjës policie, të cilët në momentin e atentatit ecin indietro dhe më pas afrohen tek makina e Klaudio Prendit sapo largohen autorët. Ekzektutorët, sipas policisë kanë pritur objektivin e tyre për më shumë se 1 orë të dilte nga lokali.
Kjo makinë të cilën agresorët pas krimit e dogjën në zonën e Farkës u riekspertua në Policinë e Tiranës. Ekspertët e krimeve gjetën edhe pistoletën me silenciator që është dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore. Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës qëndron dhe automjeti i viktimës, i cili gjithashtu i është nënshtruar ekspertizës.
Deri në këtë fazë hetimesh janë duke u verifikuar disa pista mes tyre ndonjë konflikt për çështje fajdesh që dyshohet se ishte përfshirë viktima. Verifikime po kryhen edhe në drejtim të detyrës që ka patur i ati, Fran Prendi i cili ka shërbyer si gjyqtar në Gjykatën e Posaçme.
Para hetuesve, ai ka deklaruar se ishte në dijeni që djali i tij kishte konflikte me persona të tjerë, por nuk e mendonte se do të përfundonte deri në atentat. Një tjetër pistë që policia është duke mbledhur informacione është dhe aktiviteti jashtë vendit. Së fundmi, 27-vjeçari Prendi kishte ardhur në Shqipëri nga Kanadaja.
Klan News