Një rast i pazakontë ka alarmuar policinë e Tiranës, ku një vajzë qëndroi për rreth 1 orë e 30 minuta e mbyllur në një apartament në zonën e Astirit. Gjithçka nisi kur agjentët e policisë shkuan në këtë pallat pasi kishin të dhëna për lëndë narkotike dhe armë. Pasi kontrolluan apartamentin, agjentët e policisë gjetën derën mbyllur dhe më ndihmën e pronarit e hapën. Pasi hynë në ambientet e brendshme, shërbimet e policisë gjetën dy armë zjarri dhe shenja të konsumimit të kokainës.
Pronari i banesës i tha policisë që e kishte lëshuar me qira ditore tek një djalë i ri, i cili kishte marrë jo vetëm atë hyrje, por edhe banesën përballë. Efektivët pasi trokitën në derën u përballën me një vajzë të re e cila sapo pa agjentët e policisë pa uniformë nisi të ulërinte dhe mbylli derën nga brenda me çelës. Pas pak momentesh ajo telefonoi policinë.
E reja ngriti pretendimet se është dhunuar nga disa persona dhe është marrë peng. Menjëherë shërbimet e policisë të ndihmuar dhe nga forcat speciale RENEA shkuan në zonë, ku nisën negociatat për të hapur derën. Pretendime për dhunë dhe rrëmbim patën edhe prindërit e vajzës të cilët bashkëpunuan me policinë.
Forcat RENEA zbritën nga tarraca e pallatit dhe hynë në ballkonin e banesës në katin e tetë, pasi patën dyshime se vajza mund të ndërmerrte ndonjë akt ekstrem. Forcat RENEA bënë hapjen e derës së banesës rreth orës 14:10. Nga këqyrja paraprake vajzës nuk iu konstatuan shenja të dukshme dhune, megjithatë iu dha asistencë mjekësore.
Tashmë policia është duke kërkuar të dashurin e vajzës i cili kishte marrë me qira ditore dy banesat, atë ku u gjetën armë dhe mbetje kokaine, si dhe banesën ku u ngujua e reja.
Klan News