Këta punonjës u detyruan të futeshin si nëpër filma në një apartament këtë të enjte në Tiranë. Pamjet vijnë nga zona e Astirit, aty ku një vajzë e re alarmoi gjithë zonën, policinë e madje edhe forcat RENEA.
Sipas asaj që përcjell gazetari Besar Bajraktaraj në studion e “Rudina” në Tv Klan, gjithçka nisi në momentin kur policia mori informacion se në një apartament kishte armë e lëndë narkotike. Kur oficerët shkuan tek apartamenti në fjalë e gjetën derën e mbyllur. Në këtë pikë iu drejtuan pronarit të saj.
Kur u futën brenda, oficerët e policisë e gjetën apartamentin të shkatërruar. Gjetën armë e mbetje kokaine, që dyshohet se ishte konsumuar nga persona të ndryshëm.
Vetë pronari tregoi se apartamentin ia kishte dhënë me qira ditore një djali. Por apartamenti ku u gjet arma dhe lëndët narkotike nuk ishte i vetmi. Pronari tha para oficerëve se të njëjtit djalë i kishte dhënë me qira dhe një apartament tjetër. Në këtë pikë, oficerët e policisë, që sipas gazetarit ishin pa uniformë, trokitën në derën e banesës tjetër, të cilën e hapi një vajzë (rreth 25-30 vjeç).
Pa kuptuar se ishin punonjës policie, e reja u mbyll brenda dhe nisi të ulërinte. E jo vetëm kaq. Sipas gazetarit, ajo telefonoi sallën operative dhe pretendoi se ishte dhunuar dhe ishte marrë peng nga disa persona të paidentifikuar. Ishte pikërisht telefonata e saj e cila vendosi alarmin dhe blindoi gjithë zonën e Astirit.
Frika për ndonjë akt ekstrem të vajzës, shtyu forcat RENEA që të zvarriteshin me litar nga tarraca e pallatit për të hyrë në banesën që ndodhej në katin e tetë.
Teksa për momentin e gjithë kjo ngjarje është e mbushur me paqartësi, gazetari Bajraktaraj shtoi se babai i vajzës, ka deklaruara se e bija kishte kohë që ishte larguar nga banesa me të dashurin e saj. Babai thotë gazetari, i mëshon faktit se ajo është marrë peng.
Ndërkohë vajza në komisariat ka dhënë versione të ndryshme sa i përket ngjarjes së sotme. Ajo do të pyetet në prani të psikologut pasi dyshohet se ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike./tvklan.al