Një stërgjysh nga Merseyside është bërë burri më i vjetër i gjallë në botë. Ai quhet John Tinniswood dhe është 111 vjeç dhe 223 ditë. Tinniswood, jeton në një shtëpi kujdesi në Southport dhe këshillon ushtrimin e mendjes. Mbajtësi i mëparshëm i titullit të burrit më të vjetër në botë, Juan Vicente Pérez Mora nga Venezuela, vdiq të martën në moshën 114-vjeçare.
Tinniswood, një tifoz i Liverpool FC, ka lindur më 26 Gusht 1912 dhe kujton si dikur qëndronte në tarraca duke parë Billy Liddell dhe Dixie Dean të Evertonit. Ai u takua me gruan e tij, Blodwen, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u martuan në vitin 1942. Çifti ishte i martuar për 44 vjet derisa Blodwen vdiq në 1986. Vajza e tyre, Susan, lindi në vitin 1943.
Kur u pyet për sekretin e jetëgjatësisë, ai tha se nuk kishte një dietë të veçantë, por vazhdon të shijojë ushqimin e tij të preferuar, peshkun dhe patatet e skuqura, çdo të premte. 111-vjeçari rekomandoi marrëdhënie të mira me njerëzit për një jetë të shëndetshme.
Tinniswood iu dorëzua certifikata e rekordeve botërore Guinness më 4 Prill. Gruaja më e vjetër në botë që është edhe personi më i vjetër i gjallë në përgjithësi, është Maria Branyas Morera e Spanjës, e cila së fundmi festoi ditëlindjen e saj të 117-të. Provat për njeriun më të vjetër u ekzaminuan nga Konsulenti i Lartë i Rekordeve Botërore të Guinness, Robert Young dhe Grupi i Kërkimeve./tvklan.al