Në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, zhvilloi një takim dypalësh me homologun maltez, Ian Borg.
Gjatë bisedës, u diskutua për angazhimet dypalëshe dhe shumëpalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Maltës, me fokus të veçantë në bashkëpunimin për situatën e sigurisë në rajon.
Ministri Hasani përgëzoi ministrin Borg për udhëheqjen e tij dhe të Maltës si Kryesues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, si dhe për rolin e rëndësishëm të Maltës si anëtare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Shqipëria mbështet plotësisht përpjekjet e admirueshme të Maltës, në mbështetje të multilateralizmit gjatë kohërave sfiduese”, rikonfirmoi Ministri Hasani.
Gjatë takimit, dy homologët Hasani e Borg nënvizuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar./tvklan.al