Pallati gjysmë i banueshëm, banorët kërkojnë bonus qiraje

“Stop” është ndalur në Fushë-Krujë, pasi banorët e pallatit nr. 12 në këtë qytet kanë një problem me akt-ekspertizën e thelluar për pallatin e tyre.

Ata tregojnë se tërmeti i 26 Nëntorit e ka dëmtuar disi edhe pallatin e tyre. Ekspertët grekë në fillim e nxorën pallatin gjysmë të banueshëm dhe gjysmë të pabanueshëm për riparim.

Banorët që kanë jetuar në pjesën e banueshme, nuk kanë marrë bonus qiraje, pasi u është thënë se apartamentet e tyre janë të banueshme. Ndërsa banorët, që jetojnë tek pjesa e dëmtuar, kanë marrë bonus qiraje.

Në datën 9 qershor pallatit i vihet shiriti për shembje. Banorët kanë kërkuar akt-ekspertizën e thelluar, por nuk e kanë marrë dhe nuk e dinë se çfarë do të bëhet me pallatin e tyre. Për këtë dokumentacion, gazetarja jonë iu drejtua Bashkisë Fushë-Krujë, ku administratori Xhemali Xhixha thotë se akt ekspertiza e thelluar e ka nxjerrë për shembje pallatin në fjalë, pasi nuk mund të shembet gjysma dhe gjysma të qëndrojë.

Ai pretendon, se banorët kanë përfituar të gjithë bonus qiraje, përveç 7 personave që nuk kanë aplikuar. Por këta të fundit thonë se nuk u është pranuar dokumentacioni. Megjithatë afati për bonus qiraje ka kaluar, Xhixha deklaron se ata nuk kanë përfituar, mund të shkojnë të aplikojnë.

Xhemali Xhixha: Në verifikimin për këtë pallat thuhet se në njërën anë është shumë i rrezikuar, ka dëmtime në strukturë, prandaj rrezikohet për të rënë, ndërsa pjesa tjetër është shumë më e konsoliduar. Por duke pasur parasysh se në një pallat nuk punohet me gjysma, aty u morën masat dhe u njoftuan të gjithë banorët për t’u larguar nga pallati. Ata janë njoftuar që në ditët e para pas tërmetit të 26 Nëntorit.

Gazetarja: Banorët më thanë mua se janë njoftuar me datë 9 Qershor se ky pallat do të shembet.

Xhemali Xhixha: A për prishje? Për prishje është histori tjetër. Ne po flasim për konstatimet. Në momentin që është konstatuar që pallati është i pabanueshëm janë marrë të gjitha masat për të larguar banorët, është bërë aplikimi i tyre në sistem, kanë aplikuar, kanë marrë bonusin e qirasë dhe vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre nuk kanë marrë bonus qiraje.

Gazetarja: Këtu kemi një problem, sepse banorët kanë qenë gjatë gjithë kohës me idenë se gjysma është e banueshme dhe nuk do të shembet, ndërsa gjysma tjetër ishte për riparim. Banorët e pjesës së banueshme nuk kanë përfituar bonus qiraje.

Xhemali Xhixha: Të gjithë banorët që kanë aplikuar kanë marrë bonus qiraje. Ai pallat ka 20 hyrje.  Nga këto 13 familje kanë aplikuar dhe kanë marrë bonus qiraje, janë edhe 7 banorë që nuk kanë aplikuar.

Gazetarja: Sipas banorëve, ata kanë ardhur këtu për të bërë aplikimin dhe ju është thënë se nuk keni pse, sepse pjesa ku ju banoni është e banueshme.

Xhemali Xhixha: Vetëm dy vetave ju është thënë kështu.

Gazetarja: Ku është pjesa e kontradiktës tashmë me ekspertizën e thelluar?

Xhemali Xhixha: Nuk ka asnjë lloj kontradikte, sepse ne sapo na ka ardhur ekspertiza e thelluar, një kopje të së cilës do jua jap juve. E cila vendos se pallati do rrëzohet. Nuk ka pallat që rri gjysmë në këmbë dhe gjysmë rrëzohet. Nuk e di se si mund të rrijë një pallat në këmbë përgjysmë.

Gazetarja: Për këta që nuk kanë marrë bonus qiraje si do të veprohet?

Xhemali Xhixha: Ata që nuk kanë marrë bonus qiraje mund të vijnë pranë bashkisë të aplikojnë dhe të marrin bonusin e qirasë, megjithëse janë jashtë afateve, ne do të bëjmë disa lëshime për ta. /tvklan.al