Veko ka jetuar përgjatë gjithë jetës së saj pa e ditur kurrë sesi duket. Ajo nuk mund ta shohë veten në pasqyrë, nuk mund të shohë si duken njerëzit rreth saj, qiellin e kaltër a të vranët apo studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.
Por janë të tjerët që e shohin Vekon dhe nga rrëfimi i saj në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ajo ka arritur që të lërë gjurmën e saj te ta përmes këmbënguljes, dëshirës për të vazhduar përpara, për t’u shkolluar, për t’ia dalë mbanë e deri të bëhet nënë e vetme e një vajze të lindur me fekondim artificial.
Duke u kthyer pas në kohë, Veko kujton si i kërkoi një shoqeje në gjimnaz ta përshkruante, por më pas as nuk donte ta dëgjonte më. Sot ajo i kërkon moderatorit Ardit Gjebrea që ta bëjë këtë gjë dhe ai afrohet drejt saj për të përshkruar atë çfarë është e dukshme.
Ardit Gjebrea: Flokët i ke shumë të bukur, fillojmë nga flokët.
Veko: Faleminderit! Nuk i kam të lyera, nuk i kam extension.
Ardit Gjebrea: Ke një buzëqeshje shumë të bukur.
Veko: S’e di.
Ardit Gjebrea: Ke një hundë pipiruqe. Ke një trup goxha elegant.
Veko: Në fakt unë ha shumë, shumë por nuk shëndoshem shumë, shumë. Kjo është gjë e mirë!
Ardit Gjebrea: Lum si ti! Ky është problemi im i madh! Dhe mbi të gjitha, ke një shpirt shumë të bukur!
Veko: Faleminderit!
Ardit Gjebrea: Që nuk do shumë kohë për ta kuptuar!
Veko: Nuk më ka përshkruar njeri kështu!
Ardit Gjebrea: Nuk e di nëse ia mbërrita dot që ta shohësh veten në pasqyrë me përshkrimin tim, por u mundova./tvklan.al