Ndryshe nga ç’mund të mendohet, gratë shqiptare në periudhën e viteve 1910-1920 kishin ritualet e tyre të kujdesit për veten. Copat e mëndafshta, endjet e bukura dhe qëndismat ishin pjesë e veshjeve të tyre ndërsa nuk mungonin sapunët e ardhur nga vende të ndryshme, parfumet, kënaja e gjithçka mundnin, por për to më të çmuarat ishin bizhuteritë.
Siç shpjegon historiania Nevila Nika në programin “Rudina” në Tv Klan, grave u dhurohej çfarëdo bizhuterie e çmuar e për to vetë kishte një vlerë shumë të madhe. Me humor, historiania ndan edhe një episod nga një familje aristokrate që lidhet pikërisht me rëndësinë e bizhuterive.
Nevila Nika: Një grua shumë e pasur, bashkëshorti i kishte blerë shumë bizhuteri dhe ajo kishte lindur tre djem. Asokohe, mund të martoheshin deri në 3-4 herë sa martoheshin dhe ajo çdo mëngjes i vinte bizhuteritë, bënte tualetin, dilte para pasqyrës dhe thoshte “faleminderit o Zot që nuk më ke dhënë një shemër”.
Rudina Magjistari: Çfarë nuk më ke dhënë?
Nevila Nika: Shemër, domethënë të merrte një grua tjetër burri. Edhe burri e dëgjoi, “ah”, tha. u martua për herë të dytë, e mori edhe tjetrën, ajo e pranoi se s’kishte ç’të bënte. Vazhdoi “faleminderit o Zot që s’më ke dhënë një shemër”. “Ah”, tha. I mori edhe një të tretë, ajo vazhdonte. I mori edhe të katërtën, më në fund burri e pyet “moj grua po pse thua, t’i dhashë tre”. “Merr 13”, tha, “ti të gjithave u blen të tjera, të miat s’i merr kurrkush se kam tre djem”./tvklan.al