Dëfrim Methasani, gazetari i njohur sportiv është baba i 3 vajzave: Lunës, Blertës dhe Rinës. Vajza e tij e madhe, Luna, historinë e së cilës e njohim, ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për të folur jo rreth vetes, por për të atin.
Pas vështirësive të fillimit në profesionin e tij që Luna i rrëfeu për herë të parë në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ajo kaloi edhe në aspektin familjar. Shumë shpesh vajzat kanë dëgjuar njerëzit të shprehin keqardhje që Dëfrimi nuk ka një djalë dhe mendonin se duhej patjetër të kishin një vëlla.
Prindërit vendosin që ta provojnë dhe shtatzënia e shumëpritur ndodh, por njëkohësisht edhe dy fatkeqësi njëra pas tjetrës. Motra e gazetarit ndërron jetë në moshën 29-vjeçare nga kanceri dhe një muaj më pas, edhe fëmija shuhet në barkun e nënës.
Luna Methasani: Tentuan sërish prindërit, në vitin ’99 për të bërë një djalë. Kësaj here goditën në shenjë, por kur mami ishte 4-5 muajshe shtatzënë, fëmija nuk jeton më që në barkun e nënës dhe një muaj para se të ndodhte aborti, babi humbi motrën e tij në moshën 29-vjeçare nga kanceri. Ishte një humbje e jashtëzakonshme për të gjithë familjen, për gjyshërit, për të gjithë ata që e njohën, aq më tepër një vajzë në lule të moshës vetëm 3 muaj e martuar. Por Ardit, Zoti me një dorë të hedh dhe me tjetrën të pret. Në vitin 2000, pikërisht pas një viti, mami ngel sërish shtatzënë, por këtë herë me vajzë. Motrën e tretë e donim, e donin aq shumë saqë preferuan që t’i linin emrin e hallës që nuk jetonte më.
Ardit Gjebrea: Vërtet?
Luna Methasani: Po, që ajo të ishte një kujtim i gjallë në mesin tonë. Kështu e thërrisnim Rina dhe sot e kësaj dite Rina jeton shumë mirë dhe do të martohet në qershor.
Për shkak të shpërnguljes kur Luna ishte e vogël dhe përkushtimit ndaj familjes, nëna e saj nuk i kishte kryer studimet e larta. Afër moshës 40-vjeçare, ajo vijon studimet dhe diplomohet si infermiere, profesion që e ushtron ende në një poliklinikë në Tiranë. Ndërkohë vajzat kishin ende shpresa që të bëheshin me vëlla, ndaj Dëfrimi dhe bashkëshortja tentojnë sërish, por tragjedia përsëritet.
Luna Methasani: Ne nuk i shuajtëm kurrë shpresat që mund të kishim një vëlla dhe kështu prindërit… iu mbush mendja edhe nga farefisi që “ti Dëfrim je ende i ri, mund të kesh një djalë, mund të kesh një trashëgimtar mbi të gjitha”. Provuan, qëlluan në shenjë, sërish djalë, ka qenë një gëzim i jashtëzakonshëm, nuk e di, duhet të prisnim 3 muaj që të konfirmonim gjininë fillimisht, por fiks një muaj pasi ne e morëm lajmin që ishte djalë, pa asnjë shenjë, pa asnjë simptomë, mjeku pritet në fytyrë kur shikon bebin në eko dhe thotë që “fatkeqësisht, rrahjet e zemrës së tij kanë ndaluar”. Nuk ishte e shkruar që të kishim një vëlla, por sigurisht që babi, absolutisht, pavarësisht mendimeve apo lutjeve të farefisit apo çfarëdolloj gjëje që mund t’i thoshin njerëzit, e thoshte gjithmonë këtë shprehje: “Jo se nuk e kam dashur një djalë, por me vajzat që kam nuk e kam ndier kurrë mungesën e tij”./tvklan.al