Katerina Beqo pa partnerin t’i vritej brutalisht para syve, në një prej rrugëve kryesore të Athinës. Gjithçka ndodhi po ashtu në sytë e tmerruar të djalit të tyre. Disa orë pas atentatit mafioz të së enjtes, ku u ekzekutua shqiptari Roan Brahimi alias Sidorel Prendi, partnerja e tij 37-vjeçare për newsit.gr tha se nuk mbante mend asgjë.
“Nuk dija gjë, nuk më kishte thënë që do të vinte. Erdhi të shtunën e Pashkës. Isha në makinë me të, por nuk mbaj mend çfarë ndodhi. Më pas dola nga makina”, rrëfeu 37-vjeçarja. Ajo po ashtu konfirmoi se gjithçka kishte ndodhur në sy të djalit të tyre të vogël. “Fëmija pa gjithçka. Tani po qëndron me mamin tim, ndërsa unë në shtëpi. Nuk jam aspak mirë”.
32-vjeçari Roan Brahimi kishte shkuar t’i merrte me makinë nga parku ku ndodheshin Beqo dhe djali i vogël, kur ndodhi ngjarja. Ai u ekzekutua me armë zjarri nga dy persona të maskuar, të cilët udhëtonin me motor. Në momentin kur u qëllua për vdekje, sipas mediave greke, partneres i ra të fikët, ndërsa i biri u dëgjua nga dëshmitarë teksa bërtiste “babi im, babi im”. Ishte gjyshja që e mori të voglin nga vendi i ngjarjes ndërsa forca të shumta policia rrethuan zonën.
Sipas newsit.gr, deri më tani gjithçka sugjeron se ekzekutimi i shqiptarit u krye nga vrasës me pagesë. “(Brahimi) ishte i njohur për autoritetet shqiptare për aktivitetin e tij në mafian shqiptare. Ai ka qenë i përfshirë në disa ngjarje dhe të paktën një vrarje të ndodhur në 2021. Që prej asaj kohe duket se kishte qenë objektiv i bandave rivale”, shkruan media greke.
Po, sipas këtyre të fundit, gjatë viteve të fundit, 32-vjeçari fshihej në Dubai dhe ishte kthyer në Greqi për Pashkë, për të parë partneren dhe djalin./tvklan.al