Artisti i njohur Bojken Lako ishte i ftuar ditën e sotme në programin “Historia ime” në Tv Klan. Ai njihet si një person që ka bërë revolucion në muzikën moderne shqiptare.
Bojken Lako është lindur dhe krijuar në një familje artistësh. Por, krahas artit dhe shpirtit artistik, ai ka pasur edhe periudha të errëta që kanë shënjuar jetën e tij.
Në studio, Lako ka treguar se ka patur momente kur suksesi i ka prishur punë në jetë. Madje suksesi ka ndikuar edhe në abuzimin me drogat dhe alkoolin.
Bojken Lako: Suksesi nuk është i mirë kur nuk e përmban dot, por dhe unë kam pasur momente kur suksesi më ka prishur punë, më ka mbajtur mbrapa. Tani shoh se çfarë mund të ketë sjellë suksesi, krijon një vetëkënaqësi që pastaj mund ta lëshosh veten. Nuk besoj se do më ndryshonte karakterin sepse mendoj që karakteri formohet në një moshë më të hershme. E vetmja gjë që suksesi mund të më ketë prishur punë është me abuzimin me drogat dhe alkoolin. Kjo është një periudhë që mendoj që suksesi i atyre viteve bëri që të kisha një lloj jete të dyfishtë.
Më tej, ai rrëfen sesi droga dhe alkooli kanë ndikuar në jetën e tij. Gjithçka nisi për qejf, një dëshirë e moshës për të provuar gjëra të reja, por që ai e pranon që ka qenë e rrezikshme.
Bojken Lako: Kam shumë miq dhe shokë që kanë dalë nga kjo situatë, por kam dhe shumë të tjerë që nuk kanë dalë dot. Ajo është pak si lojë, unë kam qenë në Amerikë në vitet 2000, ku për disa nga stilmulantët e ndryshëm nuk duhet ta provosh kurrë sepse patjetër që krijohet varësi. Varësia krijohet në forma të ndryshme. Megjithatë ata që më njohin e dinë se kanë qenë dhe vitet e para dhe ajo pjesa e abuzimit lidhet dhe me modën, ose si brezi i ndryshimit të sistemeve, asaj lirisë që na ka munguar deri në moshën 15 vjeç, se aq kam qenë kur ka ndryshuar sistemi. Ishte dhe ajo periudha e adoleshencës që nuk i shpëtoje dot asaj gjëje.
I pyetur nëse bëhet fjalë për një varësi, Lako u shpreh se në fillim ka qenë si lojë, por kur e shikon tani e kupton se ka qenë një lloj varësie.
Bojken Lako: Unë gjithmonë e kam menduar se e kam bërë atë punë me vetëdije dhe për qejf, pavarësisht se tani kur e shoh nga larg ka qenë varësi dhe ka qenë një lloj justifikimi ajo. Por mbase varësi jo e madhe, rreth 4 vite të jetës më kanë ikur në atë lloj pellgu. Ka qenë thjesht dëshirë, qejf dhe kënaqësi.
Ai ka që në vitin 2004 nuk pi më drogë, por pjesa më e madhe e njerzve nuk e besojnë këtë gjë.
Bojken Lako: Kam që në vitin 2004 që nuk përdor, nuk më besojnë. Ndonjëherë tallem unë me njerëzit që nuk më besojnë dhe nuk tentoj që të vazhdoj ta kuptojë dikush që kam që në 2004-n. “Ndonjë gjë e pi ky”, thonë.
Në lidhje me alkoolin, tregon se e ka patur më të vështirë për t’u shkëputur, por që ia doli dhe prej një viti e gjysmë nuk e konsumon më.
Bojken Lako: Kam një vit e gjysmë që e kam lënë alkoolin, nuk pi më. Nuk po jap një mesazh që alkooli nuk duhet pirë fare, por unë e kam tipin ashtu që po fillova të pi 1-2 gota për qejf, do pi më shumë pastaj, kështu që më mirë unë tërhiqem në këtë formë. Këtu kam patur vështirësi më të mëdha sepse u bë pjesë e punës. E mbaj mend që kur punoja në televizion, jo vetëm unë, por një grup çunash në atë kohë ajo ishte sikur pinim ujë. Mirëpo vjen një moment, që ajo të bën shumë dëm në mënyrën si mendon. Në vitet e fundit nga vitet 2008, 2009, 2010 që po të shoh veprimin si kam bërë, mënyrën si e kam konceptiuar jetën është pak e çuditshme dhe them që nuk kam qenë në fokus normal në gjendjen time, gjithmonë je i euforizuar, nuk je i kthjellët./tvklan.al