Ajo njihet si specialiste e baletit dhe sportit, por dhe si një kuratore imazhi. Teksa tregon përvojën e saj për dekada në Turqi me politikanë dhe figura të njohura publike, Linda Kalemi në studion e “Rudina” në Tv Klan nuk kursen as kritikat për politikanet shqiptare.

“Rregullat qytetare dhe profesionale nuk njihen në Shqipëri,” tha Kalemi duke shtuar se politikanet në vendin tonë gabojnë në veshje.

Rudina Magjistari: Përmende që goxha politikanë, ministra në Turqi kërkuan një lloj shërbimi të kësaj natyre për t’u përmirësuar sepse besoj se është pjesë e profesionit të tyre për të pasur një imazh të duhur edhe të kuruar publik. Një koment për politikanët tanë, në stilin e tyre të të veshurit, për politikanet gra sidomos deputetet. Cili është opinioni yt?

Linda Kalemi: Besoj se është shumë e dukshme po të shikosh në ekranet tona. Besoj se shqiptarët e kanë pak të vështirë ta kuptojnë sepse unë shqiptare jam, por duke jetuar, trajnuar dhe kompletuar vetë në një shtet kaq të zhvilluar si Turqia mund ta them me siguri këtë dhe mund ta argumentoj. Kryesisht gabojnë në të veshur: bizhuteritë një, ngjyrat e stofeve, kjo veshje nuk është për një politikane përshembull, mund të jetë për një ballo ose për një darkë. Por, gabojnë në zgjedhjen e copave që janë pak me shkëlqim, mund të jenë xixa, janë bizhuterieritë e tepërta, është makijazhi i tepërt apo ngarkesa, kur ke vathë dhe diçka të hollë nuk duhet të ngarkohesh me ngjyrat dhe me gjëra të tjera. Pra është në shumë kategori, është në make-up, në të veshur. Kurse ajo që i përket pikërisht profesionit tim është ‘maniera’, e cila është mënyra e të ulurit, mënyra e të qëndruarit në këmbë. Unë kam nisur universitetin në moshën 50-vjeçare dhe shikoja pedagoget me këmbë hapur, pra shpjegonin mësimin me këmbë hapur sepse është lodhje dhe nuk kuptojnë se cili është pozicioni që duhet të mbajë një deputete, një politikane apo një pedagoge në një ambient zyrtar. Pra, rregullat e protokollit, rregullat qytetare dhe rregullat profesionale nuk njihen në Shqipëri./tvklan.al